Shefqet Krasniqi në gjykatë | Foto: KALLXO.com

Prokurori: Shefqet Krasniqi ka Borxhe

Prokurori special, Elez Blakaj, duke lexuar akuzat ndaj ish imamit të Xhamisë së Madhe në Prishtinë, Shefqet Krasniqi, tha se i akuzuari ka obligime tatimore të papaguara ndaj shtetit të Kosovës.

Përveç akuzave për shtytje në kryerjen e veprave terroriste, nxitje të urrejtjes, përçarjes ose mosdurimit kombëtar, racor, fetar, Krasniqi akuzohet edhe për shmangie nga tatimi.

“Lidhur me pikën e akuzës për shmangie nga tatimi ekspertiza financiare ka gjetur se i akuzuari lidhur me biznesin “Portat” ka më shumë se 20 mijë euro borxhe”, tha Blakaj.

Ndërsa në pikat tjera të akuzës, Blakaj tha se posedon edhe tri përgjigje nga Bashkësia Islame e Kosovës (BIK) në të cilat bëhet interpretimi i ligjëratave të Krasniqit, për të cilat ai akuzohet.

“Kemi edhe tri përgjigje të Bashkësisë Islame të Kosovës që interpretojnë ligjëratat e Shefqet Krasniqit që tregojnë se këto predikime nuk janë në frymën tradicionale dhe janë jashtë kontestit kohor dhe gjuha e përdorur nuk përputhet me Kushtetutën e Bashkësisë Islame të Kosovës”, tha Prokurori Elez Blakaj.

Ai tha se ka edhe videoincizime të shpërndara në Youtube me ligjëratat e Krasniqit të cilat “do të kemi rastin t’i shohim drejtpërdrejt”.

“Duke pasur parasysh të gjitha këto, kërkojmë nga gjykata që të akuzuarin ta gjejë përgjegjës dhe ta dënojë sipas ligjit’, tha prokurori Blakaj në fund të fjalës fillestare për akuzat ndaj Shefqet Krasniqit.

Më herët, prokurori Blakaj shpjegoi para gjykatës pritjet e tij ngadëshmitarët përgjatë procesit gjyqësor.

http://kallxo.com/prokurori-cakton-vijat-e-akuzave-ndaj-shefqet-krasniqit/