Kryetari i dorëhequr i Komunës së Drenasit, Nexhat Demaku

Presidenti Konsultohet me KQZ-në për Zgjedhjet në Drenas

Pas pranimit të njoftimit nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal për përfundimin e mandatit të kryetarit të Drenasit, presidenti Hashim Thaçi ka filluar konsultimet për caktimin e datës së zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar të kësaj komune.

Për këtë arsye, presidenti priti sot kryetaren e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valdete Daka, kurse ditëve të ardhshme do t’i ftojë për konsultime edhe përfaqësuesit e subjekteve politike.

Sipas një komunikate të presidencës, në këtë takim është biseduar edhe për fillimin e reformave zgjedhore.

“Data e zgjedhjeve do të caktohet në përputhje me afatet ligjore dhe pas konsultimit me përfaqësuesit e subjekteve politike”, ka thënë presidenti Thaçi.

Ndërsa, Valdete Daka ka thënë se pas shpalljes së zgjedhjeve nga presidenti, brenda afatit ligjor edhe KQZ-ja është e gatshme që teknikisht t’i organizojë zgjedhjet për kryetar në Drenas.

“Në pajtim me kompetencat e mia kushtetuese dhe ligjore, këto ditë do t’i ftoj për konsultime edhe subjektet politike”, ka treguar presidenti Thaçi.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale për kryetar të Komunës së Drenasit duhet të mbahen jo më herët se tridhjetë ditë dhe jo më vonë se dyzetepesë ditë pas dorëheqjes së kryetarit të deritashëm të Drenasit.

Kryetari i Komunës së Drenasit, Nexhat Demaku, ka dhënë dorëheqje javën e kaluar pas konfirmimit nga Gjykata e Apelit të dënimit të tij për krime lufte në procesin gjyqësor të njohur si “Drenica 2”.

http://kallxo.com/jep-doreheqje-kryetari-drenasit-reagon-pdk/

Gjykata e Apelit e konfirmoi dënimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës, sipas të cilit Nexhat Demaku ishte dënuar me 3 vjet burgim.

http://kallxo.com/apeli-konfirmon-denimet-ne-rastin-drenica-2/