Vendi ku u vra Oliver Ivanoviqi - Foto: KALLXO.com

Policia me Detaje të Tjera për Vrasjen e Oliver Ivanoviqit

Sipas një njoftimi të Policisë së Kosovës, informacionet e deritanishme të tyre janë se Ivanoviq është qëlluar para selisë së partisë së tij në kohën kur ai po hynte në vendin e punës i vetëm.

“Në bazë të dëshmive të mbledhura deri më tani dyshohet se ai është qëlluar me armë zjarri të kalibrit 9X19 mm, nga persona të panjohur deri në këtë moment, ku arma që është përdorur në rast dyshohet të ketë qenë me shurdhues”, thuhet në njoftimin e policisë.

Policia e Kosovës ka siguruar vendin e ngjarjes dhe ka procesuar shikimin e vendit të ngjarjes, ku janë mbledhur dëshmitë relevante për këtë rast.

“Tani jemi në proces të ekzaminimit kriminalistik të të gjitha dëshmive. Në veçanti janë duke u nxjerrë, analizuar dhe vlerësuar video-incizimet e marra nga kamerat e sigurisë, të cilat janë marrë në vendin e ngjarjes apo që ndërlidhen me vendin e ngjarjes, si dhe dëshmitë tjera materiale”, thuhet më tutje në njoftimin e PK-së.

Të angazhuar në këtë rast janë zyrtarë të hetimeve të krimeve të rënda, ekipet e forenzikës qendrore, IT e forenzikës, zyrtarë të inteligjencës, Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtarë.

“Deri në këtë fazë janë intervistuar disa dëshmitarë si dhe janë pranuar disa informacione përmes kanaleve të sigurta të komunikimit, të vendosura për këtë qëllim nga Policia e Kosovës”, thuhet në njoftimin e policisë.

Në njoftim thuhet edhe se janë duke pritur raportin përfundimtar të autopsisë.

“Në kuadër të veprimeve hetimore është identifikuar një veturë e djegur, e tipit Opel Astra ngjyrë hiri, veturë e cila dyshohet të jetë e përfshirë në këtë rast. Gjithashtu kemi arritur të gjurmojmë në nivel vendi por edhe ndërkombëtar të dhënat lidhur me qarkullimin si dhe pronarin/poseduesin e kësaj veture. Të gjitha aktivitetet janë koordinuar dhe kryer nën autoritetin e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë”, thuhet në njoftim.

Për shkak të veprimeve hetimore PK ka ndërmarrë masa në aspektin e shtimit të sigurisë, përfshirë shtimin e prezencës policore në disa lokacione të identifikuara si të ndjeshme, me qëllim të parandalimit të çfarëdo incidenti.

KALLXO.com ka raportuar lidhur me vrasjen e Oliver Ivanoviqit.

 

http://kallxo.com/zyrtare-vdes-oliver-ivanoviq/