Sulm Apo Vjedhje në Shtëpinë e Policit në Veri?

Dy persona janë arrestuar mbrëmë pas mesnate pasi kanë hyrë në shtëpinë e Çasllav Iliqit, policit të stafit civil në veri.

Polici Iliq tregoi se si veproi kur pa këta dy persona në shtëpinë e tij.

“I pashë para shtëpisë. Thirra policinë. Policia i arrestoi dhe ata u dërguan në stacion të policisë”, shpjegon Iliq.

Zëvendësdrejtori i Policisë në Veri Besim Hoti thotë se këta persona u arrestuan nën dyshimet për vjedhje.

“Dy persona janë arrestuar nga Policia e Kosovës pasi që janë zënë duke vjedhur në shtëpinë e policit të stafit civil Çasllav Iliq,” thotë Hoti.

Por vetë polici Iliq mendon se nuk bëhet fjalë për vjedhje, por për sulm ndaj tij.

“Nuk ishte kjo vjedhje. Ata erdhën me makinë të maskuar e të armatosur. Janë nga Kraleva. Në Serbi kanë dosje të madhe kriminale,” tha Çasllav Iliq për KALLXO.com.

Edhe Besim Hoti thotë se policia dyshoi në fillim për sulm.

“Për shkak të rrethanave që ky [Iliq] ka qenë i sulmuar më herët, policia në fillim ka dyshuar, por më pas nuk ka pasur elemente për sulm,” thotë Hoti.

Sulmin me thikë të vitit të kaluar e përmend edhe Iliq. Thotë se edhe atëherë u sulmua nga persona të maskuar, ndërsa nga ky sulm i ka pesë plagë.

Që nga ky sulm policia kujdestaron te shtëpia e Iliqit 24 orë.