ARKIV Dibran Hoxha i arrestuar nga Policia e Kosovës | Foto: KALLXO.com/Arkiv 2018

Nesër mbahet seanca ndaj Dibran Hoxhës, i dyshuari për vrasjen e sotme në Prizren

Nesër mbahet seanca ndaj Dibran Hoxhës, i dyshuari për vrasjen e sotme në Prizren

17:10

Një person ka vdekur e një tjetër është plagosur nga shkrepja e armës në oborrin e një lokali nate në Prizren.

Rasti tragjik ka ndodhur në orët e para të ditës së sotme.

I vrari dhe i plagosuri janë nga Kukësi.

Në cilësinë e të dyshuarit është ndaluar Dibran Hoxha.

Avokati Nexhat Elshani ka thënë se Dibran Hoxha ka shfrytëzuar të drejtën e mbrojtjes në heshtje gjatë intervistimit në Polici.

“Ai nuk është deklaruar fare. Është mbrojtur në heshtje. Nuk ka pranuar të japë deklaratë” – ka thënë për KALLXO.com avokati Elshani.

Sipas avokatit, seanca gjatë të cilës do të vendoset për masën e sigurisë ndaj të pandehurit do të mbahet nesër.

KALLXO.com raportoi se sot në orët e para të mëngjesit ka ndodhur një vrasje e rëndë në Prizren, ku pas një konflikti në një lokal nate, mbeti i vdekur një 31-vjeçar nga Kukësi.

Sipas Prokurorisë së Prizrenit, Dibran Hoxha po dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri ndaj tre të rinjve nga Kukësi, njëri prej të cilëve mbeti i vdekur, e një tjetër i plagosur.

Vrasja në Prizren, avokati flet për intervistimin e Dibran Hoxhës në Polici

16:28

Dibran Hoxha, i dyshuari për vrasjen e 31-vjeçarit nga Kukësi, është mbrojtur në heshtje.

Në një prononcim për KALLXO.com, avokati Nexhat Elshani ka konfirmuar se Dibran Hoxha e ka shfrytëzuar të drejtën që të mbrohet në heshtje.

“Ai nuk është deklaruar fare. Është mbrojtur në heshtje. Nuk ka pranuar të japë deklaratë” – ka pohuar avokati Elshani.

Elshani ka shtuar se janë ndërmarrë veprimet e natyrës teknike, ndërkaq nesër pritet të mbahet seanca për masën e sigurisë ndaj të dyshuarit.

Sot në orët e para të mëngjesit ka ndodhur një vrasje e rëndë në Prizren, ku pas një konflikti në një lokal nate, mbeti i vdekur një 31-vjeçar nga Kukësi.

Sipas Prokurorisë së Prizrenit, Dibran Hoxha po dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri ndaj tre të rinjve nga Kukësi, ku njëri nga ta mbeti i vdekur, e një tjetër i plagosur.

Vrasja në Prizren, autopsia e 31-vjeçarit do të bëhet në Shqipëri

14:38

Autopsia e 31-vjeçarit nga Kukësi i cili u qëllua për vdekje do të bëhet në Shqipëri.

KALLXO.com ka mësuar se autopsia e të ndjerit V.C. do të bëhet nga institucionet në Shqipëri.

Një vrasje e rëndë ka ndodhur në qytetin e Prizrenit në orët e para të mëngjesit të sotëm, ku ka mbetur i vdekur një 31-vjeçar dhe është plagosur një 27-vjeçar nga Kukësi.

Policia e Kosovës ka njoftuar se deri tek vrasja ka ardhur pas një konflikti fizik që kishte ndodhur në një lokal nate, që më vonë u konfirmua se ishte “Kobra City”.

Kryeprokurori i Prizrenit: Dibran Hoxha dyshohet se qëlloi ndaj viktimave derisa ishin duke u larguar

14:18

Dibran Hoxha po dyshohet se ka shtënë në drejtim të viktimës derisa sa kanë qenë duke larguar me veturën e tyre nga parkingu i lokalit “Kobra City”.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar kryeprokurori i Prizrenit, Admir Shala.

Shala ka thënë se në momentin kur tre shtetasit e Shqipërisë po largoheshin me automjet, janë qëlluar nga D.H. me armë zjarri.

“Në momentin që shtetasit V.C., R.Sh dhe A.B, po largoheshin me automjetin e tyre të markes Audi, dyshohet se shtetasi D.H., ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit të tyre” – ka deklaruar kryeprokurori Shala.

Shala ka bërë të ditur se ngjarja ka ndodhur pas një konflikti në lokalin Kobra City me disa shtetas të Shqipërisë, lidhur me pagesën e faturës së shërbimeve.

Kryeprokurori Admir Shala tutje ka bërë të ditur se si pasojë e të shtënave me armë zjarri 31-vjeçari me inicialet V. C., dhe R. Sh., 27 vjeç, të dy nga Kukësi jane plagosur, ku si pasoj e plagëve shtetasi V.C. ka vdekur, ndërsa shtetasi R.SH. ka pësuar lëndime trupore dhe është jashtë rrezikut për jetë.

“Prokuroria Themelore ne Prizren se bashku me Policinë e Kosoves, janë duke i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme, me qëllim te sigurimit te provave dhe zbardhjes së rrethanave të ngjarjes. Organet e zbatimit te ligjit te Kosovës dhe ato te Shqipërisë janë në bashkëpunim për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes” – tha për KALLXO.com, kryeprokurori Shala.

I dyshuari D.H. dyshohet për veprën penale vrasje e rëndë.

Vrasja në Prizren, rritet numri i të arrestuarve

13:45

Gjashtë persona janë ndaluar për 48 orë për rastin e vrasjes në Prizren ku ka mbetur i vdekur një 31-vjeçar dhe është plagosur një 27-vjeçar nga Kukësi.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Prizrenit, Shaqir Bytyqi.

“Gjashtë persona janë ndaluar për 48 orë” – ka thënë Bytyqi.

Numri i personave të ndaluar në stacionin e Policisë në Prizren, fillimisht kishte qenë 5, por tani më 6 persona janë ndaluar për 48 orë.

Policia ka bërë të ditur se hetimet do të kalojnë në Drejtorinë e Përgjithshme të Krimeve të Rënda në Prishtinë.

Zhduken disa prova, pamjet e kamerave të sigurisë së ‘Kobra City’ nuk po i gjen Policia

13:30

Disa prova shumë të rëndësishme janë zhdukur dhe ende nuk kanë rënë në duar të hetuesve të policisë në lidhje me vrasjen e 31-vjeçarit nga Kukësi në orët e para të mëngjesit.

Përpos armës së krimit e cila është zhdukur dhe ende nuk është gjetur, KALLXO.com mëson se nga lokali i natës “Kobra City” janë zhdukur edhe kamerat e sigurisë.

Policia nuk ka arritur të gjejë asnjë material filmik të ngjarjes, pasi punëtorët janë arsyetuar se kamerat nuk punojnë pasi të njëjtat ishin marrë nga policia rreth një vit më parë.

Gjuajtja me armë dyshohet se ka ndodhur në parkingun e lokalit “Kobra City”.

Prokuroria: Dyshohet se konflikti erdhi për shkak të pagesës së një fature

13:15

Vrasja që ndodhi sot në orët e para të mëngjesit, sipas hetimeve të Prokurorisë së Prizrenit, po dyshohet se erdhi për shkak të një faturë.

Prokurorja kujdestare, Nazar Shero tha për KALLXO.com se dyshohet që ngjarja ka ndodhur për shkak të mosmarrëveshjes rreth një pagese.

“Thuhet se si shkak i mosmarrëveshjes është një fature, por i dyshuari në Polici është mbrojtur në heshtje. Flitet se është rreth një pagese që ka qenë atë natë aty, por hetimet do ta tregojnë se çfarë ka ndodhur” – tha për KALLXO.com, prokurorja Shero.

Ajo shtoi se janë duke zhvilluar hetime, derisa njoftoj se do të kërkojnë paraburgim për 5 personat e ndaluar.

“Për momentin jemi në zhvillimin e hetimeve, janë të ndaluar pesë persona të dyshuar dhe në bazë të hetimeve do të parashtrojmë kërkesën për ndalim apo paraburgim”

Vrasja në parkingun e ‘Kobra City’, ndërhyjnë krimet e rënda

13:08

Për shkak të kompleksitetit të rastit dhe përfshirjes së shtetasve të huaj në vrasjen e orëve të para të mëngjesit, njësia më speciale e hetimit të krimeve të policisë së Kosovës e ka marrë në dorë hetimin e rastit të vrasjes në Prizren.

Sipas burimeve të KALLXO.com, krimet e rënda kanë zbarkuar në Prizren për t’u marrë me hetimin e kësaj ngjarje.

Hetuesit nga kjo drejtori merren me hetimin e ngjarjeve më të rënda të cilat ndodhin në vend.

Hetimi I fundit i vrasjes i drejtuar nga kjo drejtori ishte ai i vrasjes së nxënësve në rajonin e Deçanit.

Zhduket arma e krimit në Prizren

12: 59

Policia e Kosovës ende nuk ka arritur ta gjejë armën me të cilën dyshohet se është kryer vrasja në Prizren.

KALLXO.com merr vesh se arma është zhdukur dhe policia është në kërkim të saj.

Gjujatja me armë, që si pasojë la të vdekur 31-vjeçarin nga Kukësi dhe plagosjen e një 27-vjeçari tjetër, dyshohet se ndodhi në parkingun e lokalit të natës “Kobra City” në Prizren.

Ky lokal është në pronësinë e Dibran Hoxhës.

Artikulli në përditësim

Dibran Hoxha mohon gjuajtjen me armë, pretendon se ishte në Gjilan

12:38

Dibran Hoxha, pronari i lokalit të natës “Kobra City” në Prizren ka mohuar se ka gjuajtur me armë zjarri ku mbeti i vrarë një person nga Kukësi dhe një tjetër mbeti i plagosur.

Burime të KALLXO.com kanë konfirmuar që gjatë intervistimit në stacionin e Policisë së Kosovës në Prizren, Dibran Hoxha ka mohuar të ketë qenë në vendin e ngjarjes kur ka ndodhur vrasja.

Sipas këtyre burimeve, ai ka thënë që në atë kohë ishte jashtë Prizrenit.

Ai u ka thënë zyrtarëe policorë se në atë kohë kishte qenë në Gjilan.

Një vrasje e rëndë ka ndodhur në qytetin e Prizrenit në orët e para të mëngjesit të sotëm, ku ka mbetur i vdekur një 31-vjeçar nga Kukësi dhe është plagosur një 27-vjeçar poashtu nga Kukësi.

Policia e Kosovës ka njoftuar se deri tek vrasja ka ardhur pas një konflikti fizik që kishte ndodhur në një lokal nate, që më vonë u konfirmua se ishte “Kobra City”.

Zëdhënësi i Policisë së Prizrenit e ka kofnirmuar sot gjatë ditës se pronari i “Kobra City” bashkë me 4 persona të tjerë ishte duke u intervistuar në stacionin e Policisë.

“Pronari me një pjesë të stafit është në stacion të policisë duke u intervistuar dhe janë duke i ndërmarr disa masa tjera hetimore. Pesë persona në mesin e tyre edhe pronari i lokalit janë në stacion” – kishte thënë zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prizrenit.

Detaje nga vrasja në Prizren, po intervistohen në polici pronari i ‘Kobra City’ dhe katër persona të tjerë

Konflikti në një lokal nate në Prizren, vdes një 31-vjeçar nga Kukësi, plagoset një 27-vjeçar