Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kosova në 15 vjet shtetësi 

Përvjetori i 15-të e gjen sërish Kosovën mes ngecjeve, sfidave, tensioneve dhe arritjeve në më shumë se një dekadë shtetësi.

Liberalizimi i vizave ende nuk ka ndodhur por një dritë e gjelbërt u ndoz duke iu dhënë shpresë kosovarëve se do të ndodhë në vitin tjetër – 2024. Por, në anën tjetër për disa muaj në vitin 2022, situatë tejet të tensionuar pati nga serbët lokale në pjesën veriore të Kosovës.

Me makineri të rënda, serbët në veri të Kosovës ngritën barrikada dhe bllokuan pothuajse të gjitha rrugët që çojnë në vendkalimet kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak.

Situata në pjesën veriore të Kosovës u tensionua nga 31 korriku 2022 për shkak se Qeveria e Kosovës vendosi që të largojë nga qarkullimi targat ilegale me akronimin KM si dhe akronime tjera PR, GL, PE etj., të cilat lëshoheshin për serbët e Kosovës nga Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë.

Vendimi u kundërshtua nga serbët lokalë, si dhe nga Beogradi zyrtar. Megjithatë, Qeveria e Kosovës ishte e vendosur për zbatimin e këtij vendimi me gjithë faktin se komuniteti ndërkombëtarë, përfshirë SHBA-në, kërkonte më shumë kohë.

Për shkak të refuzimit për të zbatuar vendimin për riregjistrim të veturave me targa ilegale, institucionet e Kosovës, suspenduan nga puna drejtorin e Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq.

Pas suspendimit të drejtorit Gjuriq, Lista Serbe, subjekti më i madh politik i serbëve në Kosovë, njoftoi për largimin e serbëve nga të gjitha institucionet e Kosovës, deri në rikthimin e tij në punë si dhe, siç tha kryetari i saj, Goran Rakiq, deri në respektimin e të gjitha marrëveshjeve nga institucionet e Kosovës, përfshirë formimin Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Në javët që pasuan dorëheqje dhanë zyrtarët serbë të Policisë së Kosovës, të sistemit të drejtësisë, ata të nivelit lokal dhe atij qendror.

Edhe në dhjetor 2022, pati sërish barrikada.

Rrugët kryesore që çojnë drejt Jarinjës dhe Bërnjakut – pikat kufitare që lidhin Kosovën me Serbinë – u bllokuan nga 10 dhjetori.

Barrikadat në veri të Kosovës u ngritën nga disa grupe serbësh, për të kundërshtuar arrestimin e një ish-polici serb të Policisë së Kosovës.

Pantiq ishte arrestuar nga policia e Kosovës më datën 10 dhjetor për sulm në zyret e KQZ në Mitrovicë.

Ndaj Pantiqit ekziston dyshimi se organizoi sulmet e 6 dhjetorit të 2022-ës që ndodhën ndaj zyreve të Komisionit Komunal Zgjedhor në veri të Mitrovicës.

Sulmi ndodhi gjatë kohës kur zyrtarët e KQZ-së po vendoseshin në këto zyre me qëllim të kryerjes së aktiviteteve të tyre për zgjedhjet që ishin planifikuar që të mbaheshin më 18 dhjetor 2022, e që më pas u shtynë për 23 prill 2023.

Më 28 dhjetor 2022, Dejan Pantiqi, ish-zyrtari policor i është ndryshuar masa e sigurisë nga ajo e paraburgimit në masën e arrestit shtëpiak. Më 5 janar 2023, atij iu vazhdua masa e arrestit shtepiak edhe për dy muaj.

Një ditë pas, më 29 dhjetor 2022, barrikadat u larguan.

Liberalizimi i vizave

Liberalizimi i vizave është njëra prej temave që iu premtua më së shumti qytetarëve të Kosovës ndër vite, por që ende mbetet i parealizuar.

Një fije shprese këtë vit përvjetori i gjenë kosovarët me marrëveshjën e liberalizimit të vizave për Kosovën e miratuar në janar të këtij viti në Komisionin përkatës të Parlamentit Evropian, e cila shënon një hap drejt heqjes së vizave.

Kjo marrëveshje ishte arritur në dhjetor të vitit 2022 në mes të Parlamentit, Këshillit dhe Presidencës së Bashkimit Evropian.

Ky vendim ishte kompromis, sipas të cilit, liberalizimi i vizave do të hyjë në fuqi së bashku me funksionalizimin e sistemit ETIAS, më së voni deri më 1 janar 2024.

Marrëveshja për liberalizimin e vizave për Kosovën, para hyrjes në fuqi do të dërgohet për votim në seancën plenare të Parlamentit Evropian, dhe më pas votimi në Këshillin e Ministrave të BE-së.

Në anën tjetër, Komisioni Evropian në vitin 2018 ka konfirmuar se Kosovës i ka përmbushur të gjitha kriteret për heqjen e regjimit të  vizave, si dhe një vit më vonë Parlamenti Evropian votoi në favor të këtij procesi, tashmë ka mbetur në vullnetin e vendeve anëtare, përkatësisht Këshillit të bllokut evropian, që të vendosë për këtë çështje.

Njohjet

Në 15 vjet shtetësi, Republika e Kosovës është njohur nga 117 shtete të botës, sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

Shteti i fundit në listë që ka njohur pavarësinë e vendit është Izraeli, më 1 shkurt të vitit 2021.

Njohja nga ky vend erdhi nga marrëveshja e Uashingtonit mes Kosovës dhe Serbisë, nënshkruar më 4 shtator të vitit 2020.

Kjo marrëveshje bëri bujë, pasi ndonëse solli njohjen nga Izraeli, për një vit stopoi aplikimet e Kosovës në organizata ndërkombëtare, sipas moratoriumit të rënë dakord mes palëve.

Për Serbinë, thuhej se “do të pajtohet ta zbatojë një moratorium njëvjeçar mbi fushatën e saj për çnjohje dhe do të përmbahet nga kërkesa zyrtare ose jozyrtare ndaj ndonjë vendi ose organizate ndërkombëtare, që të mos e njohë Kosovën (Prishtinën) si shtet të pavarur”.

Marrëveshja ishte nënshkruar nga ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me ndërmjetësim të ish-presidentit të SHBA-së, Donald Trump.

Kosova ende nuk njihet nga pesë shtetet anëtare të BE-së: Qipro, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja.

Integrimi evropian            

Kosova ka synuar që t’iu bashkohet organizatave perëndimore prej kur ka shpallur pavarësinë më 2008.

Në këtë drejtim, vitin e kaluar Kosova shënoi një hap të rëndësishëm drejt intergrimit evropian, duke dorëzuar aplikimin për anëtarësim në Këshill të Evropës, në maj të 2022-tës.

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla kishte zyrtarizuar aplikimin teksa shprehej e bindur se aplikacioni do të pranohet.

“Kosova është vendi më demokratik në rajon, më pro-evropian më optimist në rajon prandaj Kosova e meriton të jetë pjesë e Këshillit të Evropës. Dhe kjo procedurë do të përfundojë më anëtarësimin e plotë të Kosovës në Këshill të Evropës dhe me këtë të forcim të të drejtave të qytetarëve të Kosovës dhe qasje të tyre në instanca evropiane”- ishte shprehur Gërvalla.

Këshilli i Evropës është organizata më e vjetër ndërqeveritare në Evropë që për qëllim kryesor ka sigurimin e bashkëpunimit dhe unitetit ndërmjet anëtarëve të saj në lëminë e mbrojtjes së të drejtave të njeriut, demokracisë dhe sundimit të ligjit.

Moment tjetër i rëndësishëm për rrugën e Kosovës drejt familjes evropiane, u shënua më 14 dhjetor 2022, kur  presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeparlamentari Glauk Konjufca dhe nga kryeministri, Albin Kurti nënshkruan aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Aplikimi i Kosovës përbën herën e parë që një shtet merr një nismë të tillë, pa u njohur zyrtarisht nga të gjitha vendet anëtare të BE-së.

Një ditë më pas, kryeministri Kurti dorëzoi në Pragë letrën e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Bashkim Evropian, ministrit për Çështje Evropiane të Çekisë, Mikulas Bek.

Me këtë rast, ministri Bek tha se presidenca çeke e përkrah aplikimin e Kosovës për tu anëtarësuar në Bashkim Evropian.

“Është nderë i imi të pranoj aplikacionin e Republikës së Kosovës, ka qenë një prioritet i gjatë i BE-së dhe çekisë. E ardhmja jonë e përbashkët është mënyra më e mirë për t`i zgjedhur problemet, ekonomike, sociale apo edhe etnike, pra kjo është arsyeja përse ne mirëpresim hapin e Qeverisë së Kosovës drejtë Bashkimit Evropian, çmojmë arritjet e Kosovës deri më tani”- ka thënë ministri.

Ky hap i Kosovës drejt BE-së, u përkrah nga disa shtete evropiane, ambasadorë e diplomatë të shumtë.

Komisioni Evropian pritet të analizojë gjatë këtë aplikim, pasi në BE janë pesë vende që ende nuk e njohin shtetësinë e Kosovës.          

Dialogu me Serbinë

11 nga 15 vjetët e shtetësisë, zhvillimet politike në Kosovë i ka karakterizuar dialogu për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, i nisur në vitin 2011.

Gjatë këtij procesi, shumë marrëveshje janë nënshkruar por pak prej tyre kanë arritur të zbatohen.

Vitit 2022 ka nisur me kërkesat e faktorit ndërkombëtar kundrejt të dyja vendeve që t’u kthehen bisedime dhe të punohet drejt një marrëveshje përfundimtare, e cila duket të jetë vështirë e arritshme këtë kohë.

Takimet mes negociatorëve, kryenegociatorëve dhe emisarëve për dialog, u intensifikuan gjatë vitit të kaluar.

Së fundmi, Kosova pranoi një propozim të Bashkimit Evropian, ndryshe i njohur si plani franko-gjerman.

Ky propozim për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi u është dorëzuar dy vendeve në fund të verës së vitit të kaluar, por përmbajtja e tij nuk është bërë publike.

Ndërkaq, Kosova vazhdon të përballet me presion ndërkombëtar për çështjen e formimimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Kjo është një nga marrëveshjet më të diskutueshme në dialogun Kosovë-Serbi, e që formimin e saj Shtetet e Bashkuara të Amerikës po e kërkojnë me ngulm ndonëse marrëveshja fillestare për të po kundërshtohet pasi nuk është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

Në anën tjetër, kryeministri i vendit Albin Kurti, para deputetëve kishte prezantuar gjashtë kushtet me të cilat Kosova mund ta konsiderojë formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Kushti i parë sipas tij është që të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe ligjet që janë në fuqi.

Ndërsa një kusht tjetër i kreut të ekzekutivit është edhe që Asociacioni është pjesë e marrëveshjes finale dhe zbatohet pas njohjes reciproke.

Asociacioni apo Bashkësia e komunave me shumicë serbe, paraqet gurthemelin e marrëveshjes së 19 prillit 2013 mes të dyja palëve, ku gjashtë nga 15 pikat e marrëveshjes janë të fokusuara në krijimin e tij.

Në tetor të vitit 2015, kjo marrëveshje u dërgua për interpretim në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës. Kjo e fundit, në vendimin e nxjerrë në dhjetor të vitit 2015, tha se Marrëveshja për Asociacionin në 23 pika të saj, nuk është në harmoni me Kushtetutën e Kosovës.

Në aspektin politik, në 15 vjet pavarësi, janë ndërruar shumë qeveri dhe janë mbajtur zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare. Në këto vite, asnjë qeveri e Kosovës nuk e ka mbajtur mandatin e plotë 4-vjeçar të qeverisjes.

Aktualisht Kosova qeveriset nga Lëvizja Vetëvendosje në krye me Albin Kurtin.

Më 17 tetor 2021 janë mbajtur zgjedhjet lokale në komunat e Kosovës.