Krejt çka ndodhi dje në veri të Kosovës

Me tensione u përcoll të premten dita e parë e punës e tre kryetarëve të Komunës së Zubin Potokut, Leposaviqit dhe Zveçanit.

Protesta, hedhje gurësh, shok-bomba e gaz lotsjellës, e përfunduar ditën e djeshme të gjatë me 5 zyrtarë policorë të lënduar, e me dëmtime të veturave të policisë.

Po ashtu, e dëmtuar mbeti edhe vetura e ekipit të gazetarëve të Koha.net.

Grupet lokale u mblodhën të premten gjatë mesditës nëpër oborre të tri komunave për të penguar hyrjen e tre kryetarëve që kishin dhënë betimet e tyre një ditë më parë.

Kryetarit të ri Komunës së Zubin Potokut, Izmir Zeqirit, iu ndalua hyrja në objektin e komunës, ndërsa pak momente më vonë në qytet u dëgjua alarmi, që në raste të tillë në komunat verirore është njoftim dhe ftesë për mobilizim të komunitetit serb.

Me pengesa për të hyrë në objekt të komunës u ballafaqua edhe kryetari i Leposaviqit, Lulzim Hetemi.

Para zyrave të reja të tij, ishin vendosur makineri të rënda. Ato ishin të ngjashme me makineri të cilat janë përdorur më herët për të barrikaduar rrugët në 4 komunat e veriut.

Edhe objekti i komunës së Zveçanit ishte rrethuar me makineri të rënda.

Për shkak të veprimeve policore për të larguar protestuesit dhe lejuar qasjen në objekt për kreytarin e ri, kishte pasur një përlasje mes palëve.

Disa vetura mbetën të dëmtuara, e një prej tyre ishte bërë shkrumb e hi, pas flakëve të marra.

Për dallim nga homologët e tij, kryetari i Mitrovicës së Veriut kishte vazhduar kryerjen e detyrave të tij, pa u penguar dhe pa qenë pjesë e lajmeve për zhvillimet e së premtes.

“Po, sot unë jam këtu, në objektin e komunës, në zyrë. Nuk di më shumë detaje, unë jam këtu, po punoj kam takime…” – kishte thënë shkurtimisht Atiqi për situatën në komunat tjera në veri.

Policia doli më pas me një njoftim duke thënë se kanë asistuar kryetarët e komunave veriore Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, për të ushtruar të drejtën e tyre në punë, në objektet zyrtare të komunave përkatëse.

Hyrja e kryetarëve të rinj në zyrat e tyre u shoqërua me vonesa e forca të shumta të Njësisë Speciale të Kosovës.

I pari që konfirmoi se ka hyrë në objekt të komunës ishte kreytari Zveçanit, Ilir Peci.

“Po, tash për momentin jam në zyrën e kryetarit. Më në fund mirë jemi. Po jam, në përcjellje të policisë, më shumë informacione nuk kam” – tha shkurt ai.

Por ballafaqimi me protestues dhe mundësimi i hyrjes së Pecit brenda objektit, la 5 policë të lënduar, të cilët u ballafaquan me protestuesit.

Ndërsa disa orë më vonë, kur në situata normale mund të përfundonte orari i punës për një kryetar, Izmir Zeqiri, kreytar i Zubin Potokut arriti të hyjë në zyrën e tij.

Rreth orës 16:00 të së enjten, Zeqiri u ul për herë të parë në ulësen e kryetarit të komunës.

Kurse rreth orës 17:00, mes tensionesh dhe nën përcjelljen e forcave të rendit, të njëjtën e bëri edhe kryetari i Leposaviqit, Lulzim Hetemi.

Pavarësisht interesimit të madh të gazetarëve të shumtë që ishin të vendosur në tri këto komuna, asnjëri nga kryetarët nuk u folën atyre.

Pas largimit nga objektet e komunës, asnjëri nga kryetarët nuk u deklarua para mediave, të cilët po raportonin nga vendi i ngjarjes.

Reagimet e ashpra të ndërkombëtarëve

Situata e krijuar dje, nxiti një reagim të ashpër nga institucionet ndërkombëtare të vendosura në Kosovë, por jo vetëm. Reagim i ashpër erdhi edhe nga sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken.

I pari që dha goditjen për veprimet e institucioneve të Kosovës ishte ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier.

“Shtetet e Bashkuara dënojnë veprimet e vazhdueshme të autoriteteve kosovare për të hyrë në ndërtesat komunale në veri të Kosovës. Masat e sotme të dhunshme duhet të ndërpriten menjëherë”- ka shkruar Hovenier në Twitter.

Pas tij, nisën reagimet edhe nga diplomatët e tjerë e Bashkimi Evropian.

“Siç ka deklaruar vazhdimisht BE-ja, zgjedhjet e fundit të pjesshme në veri të Kosovës nuk ofrojnë zgjidhje politike afatgjatë për komunat e përfshira. Një zgjidhje e tillë mund të gjendet vetëm përmes një dialogu real ndërmjet të gjitha palëve kyçe të interesit, që përfshijnë Kosovën, Serbinë dhe komunitetin serb të Kosovës – nën lehtësimin e BE-së” – thuhet në reagimin e BE-së.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken dënoi veprimet e Qeverisë së Kosovës, që sipas tij po përshkallëzojnë tensionet.

“Dënojmë fuqishëm veprimet e Qeverisë së Kosovës që po përshkallëzojnë tensionet në veri dhe po shtojnë jostabilitetin. I bëjmë thirrje kryeministrit Albin Kurti të ndalojë menjëherë këto masa të dhunshme dhe të ripërqendrohet në Dialogun e lehtësuar nga BE”- thuhet në reagimin e Blinken.

Në orën e vona të së premtes me një deklaratë të përbashkët erdhën edhe shtetet e QUINT-it.

Ambasadat e Francës, Italisë, Gjermanisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës kanë deklaruar se dënojnë vendimin e Kosovës për të detyruar hyrjen në ndërtesat e komunave në veri të Kosovës pavarësisht thirrjes për përmbajtje.

“Ne dënojmë vendimin e Kosovës për të detyruar hyrjen në ndërtesat komunale në veri të Kosovës, pavarësisht thirrjes tonë për përmbajtje. Ne u bëjmë thirrje autoriteteve të Kosovës që menjëherë të tërhiqen dhe të de-përshkallëzohen dhe të koordinohen ngushtë me EULEX-in dhe KFOR-in. Dënojmë sulmet ndaj EULEX-it në Zveçan” – thuhet në reagim.

Kundërpërgjigjet e qeveritarëve ndaj ndërkombëtarëve

Derisa reagimi i kryeministrit Kurti erdhe veç një ditë më vonë, presidentja Vjosa Osmani reagoi pak orë pas tensioneve, derisa ende asnjë reagim nuk është bërë nga kryeparlamentari Glauk Konjufca.

Preisdentja Osmani në reagimin e saj i dha mbështetje Policisë së Kosovës derisa shkroi se sovraniteti dhe integriteti territorial i Kosovës është i pacenueshëm, i patjetërsueshëm dhe i pandashëm.

Ndërsa, shefi i kabinetit të kryeministrit të Kosovës, Luan Dalipi u tha kritikave të ndërkombëtarëve – Jo faleminderit

“Nuk ka alternativë për ruajtjen e shtetit ligjor dhe demokracisë. Nëse ruajtja e ‘stabilitokracisë’ do të thotë mbyllja e syve ndaj sulmeve të orkestruara kundër institucioneve tona nga një grusht kriminelësh dhe huliganësh të paguar nga Beogradi dhe në listën e zezë të Thesarit në SHBA, atëherë jo faleminderit”- ka shkruar ai në Twitter.

Kurse ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla duke komentuar reagimet Bashkësisë Ndërkombëtare tha se ata po “ftojnë” Milan Radojçiqin, i futur në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për të komanduar sulmet ndaj policisë e Kosovës.

Ndërsa kryeministri Kurti reagoi krejt sot në orët e para të mëngjesit.

“I kuptojmë shqetësimet e partnerëve ndërkombëtarë, por çdo opsion tjetër do ishte mos përmbushje e obligimeve kushtetuese” – ka shkruar mes tjerash Kurti.

Policia: Përballë rrezikut për jetën e zyrtarëve policorë, në vetëmbrojtje ishim të detyruar të reagojmë

Policia e Kosovës njofton se dje sipas autorizimeve ligjore dhe kushtetuese kanë asistuar kryetarët e komunave veriore në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok,  për të ushtruar të drejtën e tyre në punë, në objektet zyrtare komunale.

Forcat e rendit thonë se kanë respektuar të drejtën qytetare për të protestuar dhe se kanë kërkuar disa herë nga qytetarët e mbledhur që të lirojnë hyrjen në objekte.

Me qëllim të parandalimit të rrezikut të drejtpërdrejtë të shfaqur ndaj jetës së zyrtarëve policorë, Policia thotë se në vetëmbrojtje ishin detyruar të reagojnë me mjetet e tyre të ligjshme, përfshirë gazin lotsjellës për shpërndarje të turmës.

“Si pasojë e sulmeve, pesë (5) zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime të lehta trupore, janë dëmtuar katër (4) automjete zyrtare, njërës prej tyre iu ishte vënë zjarri duke u dëmtuar në tërësi, janë dëmtuar disa vetura civile përfshirë të gazetarëve, si dhe tri (3) vetura të EULEX-it. Po ashtu në disa raste në lokacione të ndryshme janë dëgjuar të shtëna me armë, për të cilat po kryhen hetime në bashkëpunim me organet e drejtësisë” – kanë thënë nga Policia e Kosovës përmes një komunikate për media.

Sipas Policisë, individë dhe grupe të caktuara kriminale tentuan të bllokojnë rrugë të ndryshme me zhavorr dhe mjete të rënda, mirëpo forcat e rendit kanë marrë masa për largimin e tyre.

KFOR-i: U shkaktuan përplasje nga hyrja e dhunshme e kryetarëve të sapozgjedhur në ndërtesat e komunave

Në krye të zhvillimeve në veri, komandanti i KFOR-it Angelo Michele Ristuccia i shkoi në takim kryeministrit Kurti në zyrën e tij në Prishtinë.

Pavarësisht insistimit të ekipit të KALLXO.com për të marrë një deklaratë nga Komandanti Ristuccia, ai nuk u deklarua

Ndërsa disa orë më vonë, përmes një njoftimi për media, misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR-i, njoftoi se përpalsjet erdhën si pasojë e hyrjes së dhunshme të kryetarëve në ndërtesat e komunës.

“KFOR-i është duke monitoruar nga afër situatën në Komunat në veri të Kosovës ku janë shkaktuar një sërë përplasjesh nga hyrja e dhunshme e kryetarëve të sapozgjedhur në ndërtesat e komunave. Kjo është jashtëzakonisht e rrezikshme për procesin e normalizimit dhe rrezikon përshkallëzimin e mëtejshëm të tensioneve” – thuhej në njoftim të KFOR.

Këtu mund t’i lexoni të gjitha raportimet e KALLXO.com për zhvillimet e së premtes në 3 komunat veriore.

LIVE – Zhvillimet e fundit në veri