Flamujt e Kosovës dhe të ShBA-së - Foto: KALLXO.com
SHBA - Kosovë: Kërkesat, pajtimet dhe refuzimet
Muajt e fundit, Qeveria e Kosovës është përballur me kërkesën e SHBA-ve për shtyrjen e vendimit për konvertimin e targave ilegale të lëshuara nga Serbia: ‘PR’, ‘KM’, ‘PZ’, ‘GL’, ‘UR’, ‘PE’, ‘DA’ të automjeteve të qytetarëve serbë, në targa të Republikës së Kosovës – RKS.
Pasi në Bruksel pas rreth tetë orësh takim, të hënën nuk u arrit marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë për targat, pak pas mesantës së 22 nëntorit, ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, kërkoi nga Qeveria e Kosovës që të shtyjë për 48 orë fillimin e shqiptimit të gjobave për qytetarët që përdorin targa ilegale të automjeteve, si fazë e dytë e vendimit qeveritar për këtë çështje.
Pak minuta më vonë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se e pranon kërkesën e SHBA-ve për shtyrje për 48 orë të vendimit për shqiptim të gjobave.
Një kërkesë e tillë por për shtyrje një mujore, ambasadori amerikan Jeff Hovenier e pati edhe më 31 korrik, kur në veri të Kosovës kishte filluar të tensionohet situata.
“Mendoj se shtyrja e zbatimit do të ishte e nevojshme, pasi duket se ka pasur dezinformata dhe keqkuptime për vendimin. Shpresojmë të punojmë me partnerët tanë në Bashkimin Evropian që të ulen tensionet. Ne nuk po kërkojmë anulimin e vendimit të jem i qartë, por shtyrjen” – ka thënë Hovenier pas takimit me kryeministrin Kurti dhe presidenten Vjosa Osmani atë ditë.
Pak minuta më vonë, Qeveria e Kosovës, kishte dhënë zotimin që të shtyhet zbatimi i vendimit për një muaj, që të hiqen të gjitha barrikadat dhe të vendoset liria e plotë e lëvizjes në të gjitha rrugët në veri të Kosovës.
Mirëpo, shtyrja një mujore nuk mjaftoi, SHBA në tetor erdhi me kërkesën që vendimi i Qeverisë së Kosovës të shtyhet edhe për 10 muaj.
Këtë kërkesë tek presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti e bëri Gabriel Escobar, i dërguari i Posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor.
“Nuk është sekret që ne kemi kërkuar një periudhë më të gjatë të zbatimit, dhe kemi kërkuar edhe 10 muaj të tjerë. Do të doja ta shihja këtë që të ndodhte. Kjo nuk është vetëm kërkesë e ShBA-ve, por e gjithë QUINTIT. Dhe, kjo është për shkak se ne jemi shtetet që e përkrahim më së shumti Kosovën. Besojmë se është e rëndësishme që kur ne bëjmë rekomandime, njerëzit t’i dëgjojnë ato”- pati thënë Escobar.
Pak ditë më vonë, më 28 tetor, Qeveria vendosi që vendimin për riregjistrimin e makinave me targa të lëshuara nga Serbia të zbatohet në tri faza, duke filluar nga 1 nëntori i këtij viti.
Sipas vendimit të ri, nga 1 nëntori të gjithë pronarëve të makinave me targa serbe në Kosovë, do t’iu shqiptohej masë qortimi me kërkesë për t’u drejtuar në Qendrën e Regjistrimit të Automjeteve.
Ndërkaq, nga 21 nëntori deri më 21 janar, të gjithë pronarët e makinave me targa serbe në Kosovë, do të gjobitshin me nga 150 euro.
Por 21 nëntori nuk qe fillimi i zbatimit të fazë së dytë, pasi Policia e Kosovës njoftoi të dielën e kaluar, se shqiptimi i gjobave do të niste një ditë më vonë – më 22 nëntor, ditë e hënë, ditën kur u mbajt takimi urgjent trepalësh në Bruksel, që vendosi përballë kryeministrin kosovar Albin Kurti dhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiq. Ky takim përfundoi pa marrëveshje.
BE kritikoi palën kosovare për moskonstruktivitet, ndërsa pala kosovare tha që BE hoqi dorë nga propozimi për normalizim të marrëdhënieve.
Faza e tretë ndërkaq përfshin përdorimin e targave provuese dhe pas 21 prillit të vitit 2023, Qeveria ka thënë se në Kosovë nuk do të ketë makina që qarkullojnë me targat e lëshuara nga Serbia.
Por zbatimi në faza i vendimit, nuk i pëlqeu prap SHBA-ve. Më 31 tetor zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Ned Price, tha që SHBA-të kërkojnë nga Kosova një shtyrje të plotë të afatit për ri-regjistrimin e makinave me targa të lëshuara nga Serbia, e jo “shtyrje të pjesshme”.
“Ne kemi qenë të qartë, publikisht dhe privatisht, se komuniteti ndërkombëtar, përfshirë SHBA-në kërkon një shtyrje të plotë në zbatimin e këtyre çështjeve. Ne nuk kërkojmë një shtyrje të pjesshme, nuk kërkojmë zbatim në faza. Komuniteti ndërkombëtar i ka kërkuar Qeverisë së Kosovës për një shtyrje të plotë në zbatimin [e vendimit të targave]. Sërish, këto diskutime po vazhdojnë, diskutimet me palët në rajon, diskutimet me Bashkimin Evropian”- ka thënë ai.
Tani Kosova është në 48-orëshin që ia premtoi SHBA-ve dhe ende mbetet paqartë se kur ose nëse do të fillojë faza e shpërndarjes së gjobave për drejtuesit e automjeteve me targa ilegale.