Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi (majtas) i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak dhe kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq./Grafika:REL

Çka u diskutua, e për çka u dakorduan Bislimi e Petkoviq dje në Bruksel?

Zëvendëskryeministri për dialog i Kosovës, Besnik Bislimi dhe kryenegociatori serb Petar Petkoviq dje nën ndërmjetësimin e përfaqësuesit të posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak zhvilluan takimin e radhës në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

Lajçak fillimisht takoi ndaras zëvëndëskryeministrin Bislimi dhe kryenegociatorin Petkoviq, pastaj zhvilloi takimin trepalësh, për të vazhduar me një takim me këshilltarin e lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet të cilin e informoi për zhvillimet.

Hapat për implementimin e marrëveshjes së Ohrit, të pagjeturit, targat, incidentet në veri, energjia, kanë qenë disa nga temat që janë diskutuar në takimet e djeshme, sipas zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi.

“Kemi diskutuar për hapat tjerë që janë pjesë e marrëveshjes bazike, puna e marrëveshjes për të pagjeturit, puna e njohjes reciproke të diplomave, dhe elemente tjera që kanë të bëjnë më marrëveshjen bazike”- ka thënë Bislimi.

“Kemi diskutuar edhe tema aktuale siç është puna e energjisë. Kemi diskutuar edhe për targat, unë kam raportuar se deri në fillim të marsit ka ecur mirë deri në djegie të veturave. Kjo punë ka kaluar, nuk mund të negociohet më për targa”- është deklaruar ai.

Bislimi po ashtu paralajmëroi mundësinë e mbajtjes së një takimi të nivelit të lartë mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq.

“Patëm një dakordim fillestar që takimi i radhës në nivelin e lartë të mbahet më 22 prill, por kjo nuk është e sigurt sepse ka indikacione që presidenti i Serbisë nuk është i gatshëm apo nuk mund të vijë më këtë datë, kështu që jemi duke shqyrtuar datë alternative. Ideja është që në këtë datë të prezantohet një draft fillestar i grupit të menaxhmentit”- ka thënë Bislimi.

Në anën tjetër, kryenegociatori serb Petar Petkoviq, tha se janë dakorduar për tekstin për të pagjeturit.

“Vetëm do të shtoja se kemi pasur kujdes të veçantë për të gjitha termet dhe se nuk e kemi pranuar termin e përmendur në konventën ndërkombëtare për zhdukjen e dhunshme, sepse jemi kujdesur që të mos rrezikojmë interesat e Serbisë”- ka thënë Petkoviq.

Dakordimi për të pagjeturit ose të zhdukurit me dhunë, kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka thënë se është arritur qysh më 18 gusht të vitit të kaluar.

Çështja e personave të zhdukur ka qenë një ndër çështjet urgjente të aneksit të dakorduar më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

Petkoviq po ashtu përmendi edhe diskutimet që janë bërë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Pas kaq vitesh sot diskutuam për herë të parë hapat më konkretë për formimin e Asociacionit në kuadër të takimit tripalësh. Më saktësisht, çfarë duhet të bëjë ekipi menaxhues e në përputhje me marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015, është e qartë se hapi i parë është prezantimi i statutit”- ka thënë ai.

Pjesë e aneksit ka qenë edhe pika e 7-të e marrëveshjes e cila flet për vetmenaxhimin e për të cilën Bashkimi Evropian ka kërkuar nga Kosova që sa më shpejt të filloj hapat për zbatimin e kësaj pike.

“Për të zbatuar Nenin 7, Kosova nis menjëherë negociatat në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, për përcaktimin e aranzhimeve dhe garancive specifike, që sigurojnë një nivel të duhur të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, në përputhje me marrëveshjet e mëparshme përkatëse të dialogut, siç përcaktohet nga ndërmjetësuesi i BE-së”- thuhet në aneks.

Ndërsa neni 7 kërkon që palët të angazhohen, për të siguruar një nivel të përshtatshëm të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe mundësinë e ofrimit të shërbimeve në disa fusha specifike, përfshirë mundësinë e ndihmës financiare nga Serbia dhe kanalet e drejtpërdrejta të komunikimit të komunitetit serb me Qeverinë e Kosovës.

I pyetur nëse neni 7, nënkupton krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë- Serbi, Miroslav Lajçak ka thënë ‘po’.

“Neni 7 flet për nevojën e zbatimit të asaj për të cilën Kosova dhe Serbia veçse janë pajtuar. Kjo nënkupton marrëveshjet e viteve 2013 dhe 2015, që flasin që themelimin e një lloj asociacioni të komunave me shumicë serbe. Përndryshe, kjo do të nënkuptonte Nenin 10, që thotë se të gjitha marrëveshjet e mëparshme, plus Nenin 7, pra aranzhime shtesë, që nuk do të kishte logjikë”- ka thënë Lajçak.

E në anën tjetër, kryeministri Albin Kurti ka thënë se kjo nuk nënkupton autonomi për serbët e Kosovës.

“Nuk ka kurrfarë autonomie për serbët lokalë në Kosovë. Ata janë qytetarë, unë jam kryeministër i tyre. Në nenin 7 flitet për menaxhim të komunitetit, kjo do të thotë që kemi referencë tek marrëveshja kornizë e Këshillit të Evropës për pakicat kombëtare. Nuk ka vetadministrim, nuk ka vetëqeverisje, dhe ka veçse njohje de faco ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”- ka thënë Kurti.

Aneksi është pjesë e marrëveshjes bazë të Bashkimit Evropian për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi të dakorduar më 27 shkurt.

Kjo marrëveshje është përmendur në publik edhe me emrin plani franko-gjerman.

Marrëveshja bazë ka 11 nene, ndërsa aneksi për zbatimin e kësaj marrëveshje ka 12 pika.

As për marrëveshjen bazë e as për aneksin nuk janë hedhur nënshkrime, ndonëse BE ka deklaruar se kjo është marrëveshje, duke kërkuar me ngulm nga palët që të fillojnë me zbatimin e saj.