Ilustrim

Kriza për ujë në Gjilan, a po rrezikohen rajonet tjera?

Komuna e Gjilanit ka disa javë që ka shpallur gjendje emergjente të ujit të pijshëm.

Në ndërkohë, rajonet tjera të vendit po apelojnë që uji të kursehet sidomos tash në muajt e nxehtë të verës.

Kompania Rajonale e Ujësjellësit (KRU) ‘Prishtina’ ka thënë së nuk kanë situatë alarmuese për furnizimin me ujë, por që apelojnë që uji mos të keqpërdoret, në të kundërten paralajmërojnë shqiptimin e gjobave.

Banorët në kryeqytet aktualisht janë duke u furnizuar me ujë të pijshëm nga sistemi i dy liqeneve akumuluese, nga liqeni i Batllavës dhe ai i Badocit.

Foto: Liqeni i Përlepnices/Facebook

“Në ketë kohe jemi duke e menaxhuar situatën dhe tani për tani nuk kemi emergjence apo situate alarmues për furnizimin me ujë por duhet te apelojmë tek te gjithë konsumatorët për përdorim te ujit  sa me racional, por thirrjet tona si duket assesi te merren për baze kur është ne pyetje te ruajmë ujin”, ka thënë Arjeta Mjeku nga KRU ‘Prishtina’ për KALLXO.com

Ashtu sikurse Prishtina, edhe komuna e Prizrenit ka sasi të mjaftueshme të ujit, bënë të ditur zëdhënësja e K.R.U “Hidroregjioni Jugor” në Prizren, në një bisedë për KALLXO.com

Zëdhënësja, Nderona Kurtaj u shpreh së kjo kompani nuk është në kohën emergjente, dhe së ka sasi të mjaftueshme të ujit të pijes.

“KRU “Hidroregjioni Jugor” sh.a posedon strategjinë  për furnizimin me ujë dhe planin për menaxhimin e rrezikut  nga thatësira në situata emergjente, dokument ky i miratuar nga Bordi i Drejtorëve  dhe Autoriteti Rregullator  për Shërbimet e Ujit”, ka thënë ajo.

Ndërkaq, Kompania Rajonale e Ujit ‘Mitrovica’  nga e cila konsumojnë edhe banorët e komunave të Skenderajt dhe Vushtrrisë kanë thënë për KALLXO.com së kanë ujë të mjaftueshëm pasi që furnizohen nga liqeni i Ujmanit.

“Na nuk kemi plan emergjent pasi qe na furnizohemi nga Ujmani, e Ujmani ka ujë boll, mjaftueshëm. Vetëm njëherë kur ka naj defekt së nuk e ndalim ujin”, u shpreh Sami Miftari, kryeshefi i ujësjellësit në Mitrovicë.

Por pavarësisht që kanë pohuar së nuk ka krizë për ujë, të njëjtit përmes një postimi në ‘Facebook’, kanë apeluar që gjatë muajve të nxehtë mos të keqpërdoret uji.

“Apelojmë tek konsumatorët e Mitrovicës, Vushtrrisë dhe Skenderajt që gjatë muajve: Korrik, Gusht dhe Shtator, ujin e pijes ta përdorin sa më racionalisht dhe assesi mos ta keqpërdorin duke larë rrugë, trotuare, duke ujitur kopshtet e kulturat tjera bujqësore apo duke e përdorur për ujin e pijes në ndërtimtari etj.”, thuhet në njoftim.

Në anën tjetër, më 14 qershor, kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri ka shpallur gjendje emergjente, për shfrytëzimin e ujit të pijshëm, si pasojë e rënies drastike të nivelit të ujit në liqenin e Përlepnicës.

Pas gjendjes emergjente të shpallur më 26 qershor është mbajtur konferencë njëditore, ku pos të parit të Komunës dhe atij të kompanisë Hidromorava, kanë marrë pjesë edhe zëvendësministri i Infrastrukturës, Rexhep Kadriu, ministri Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, ai Mjedisit, Fatmir Matoshi dhe përfaqësues të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

“Jemi njëra nga komunat që 92 për qind e qytetarëve i kemi furnizuar me ujë, 24 orë e shtatë ditë. Por, përballja me thatësinë e madhe është situatë që po përsëritet çdo katër vite që sivjet ka përshkallëzuar. Sezoni i verës, i nxehti që po pritet me ndodhë dhe rritja e numrit të qytetarëve me ardhjen e bashkatdhetarëve,  bën që ne të mobilizohemi për ta menaxhuar këtë gjendje”, ka thënë Haziri në këtë konferencë.

Zëvendësministri i Infrastrukturës, Rexhep Kadriu, i cili në këtë konferencë ka qenë në emër të kryeministrit Haradinaj, ka folur për alternativat më të shpejta dhe ato afatmesme të zgjidhjes së këtij problemi që u diskutuan në këtë tryezë.

“Përpos hapjes së puseve të reja, ne kemi shqyrtuar edhe dy alternativa afatmesme për zgjidhjen e problemit të ujit edhe atë përmes furnizimit nga lumit Krivareka e cila kap shumën e tre milionë eurove dhe për ndërtimin e Pendes së Llapushnicës, në gjatësi prej 11 kilometrash dhe me kapacitet prej 7 milionë litrash. Brenda dy tre ditësh do ta kemi rezultatin se sa mjete do të ndajmë si qeveri për daljen nga kjo situatë”, tha Kadriu.

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, ka deklaruar se janë dakorduar që të themelohet një grup ndërinstitucional, ku përfshihen  Qeveria, Komuna, Hidromorava dhe ekspertët, për t’i dhënë një zgjidhje përfundimtare çështjes së furnizimit me ujë të pijes.

“Prezenca e ministrave këtu është për ta siguruar kryetarin Haziri dhe kryeshefin e Hindormoravës se Qeveria është e përkushtuar që kjo krizë të tejkalohet në mënyrën më të mirë, pas shpalljes së gjendjes emergjente për furnizim për ujë. Ndërsa, hapi i dytë në këtë konferencë është për të debatuar për herë të pare, në mënyrë që ta gjejmë një zgjidhje afatgjate për Gjilanin”, pohoi Matoshi.

Ndërkohë, kryeshefi i kompanisë Hidromorava, Muhamet Suliqi dhe Afrim Lajçi nga Këshilli Ndërministror, pohuan se lajmi i mirë i kësaj konference është gatishmëria e ofruar e Qeverisë së Kosovës për t’i dalë në ndihmë dhe për ta zgjidhur problemin e Gjilanit për ujin e pijshëm.

Paraprakisht, kreu i Gjilanit, Lutfi Haziri dhe përfaqësuesit e Qeverisë, kanë vizituar pendën e Përlepnicës, për të parë nga afër gjendjen aty.