RTK, Prishtine. 21 maj 2015. Photo: Atdhe Mulla.

PDK e LDK nuk Përkrahin Komisionin për RTK-në

Kërkesa e deputetes Shqipe Pantina e mbështetur nga tetë deputetë tjerë të VV-së, për formimin e Komisionit Hetimor Parlamentar për Radiotelevizionin e Kosovës nuk është mbështetur nga PDK e LDK.

Megjithëse deputetët e Vetëvendosjes, të cilët kishin bërë këtë kërkesë nuk ishin të pranishëm në sallë, kërkesa e Pantinës u diskutua si pikë e rendi të ditës.

Sipas kryesuesit të seancës, Xhavit Haliti, partitë opozitare kanë propozuar emrat e tyre, mirëpo kërkoi nga partitë në pushtet që të deklarohen për këtë çështje.

Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Zenun Pajaziti tha se nuk mund të bëjnë ndërhyrje në televizionin publik dhe se kjo është njëra nga arsyet pse partia që ai përfaqëson nuk ka emra për këtë komision.

“Nuk mund të marrim rol tjetër, aq më tepër tash që jemi në rrugën për gjetjen e formës për financim të RTK-së,” tha Pajaziti.

Ngjashëm foli edhe shefi i partisë tjetër ne koalicion, LDK-së.

Ismet Beqiri tha se janë organet tjera kompetente që merren me këto parregullsi, nëse ka të tilla.

“Ne nuk e shohim të arsyeshme që të jemi pjesë e një grupi hetimor. Po vërejtje, e të debatojmë, por jo në komision hetimor,” tha Beqiri.

Ky komision parashihej t’i kishte 11 anëtarë. Të propozuar nga partitë opozitare janë: Lah Ibrahimaj, Bali Muharremaj, Shqipe Pantina, Driton Çaushi, Enver Hoti.

PDK e LDK do të duhej të propozonin nga dy emra, e Lista Serbe dhe 6+ nga një.

Në fillim të vazhdimit të seancës, deputetët prezentë votuan për zgjedhjen e nga një anëtari në Këshillin Prokurorial të Kosovës dhe Komisionin e Pavarur të Medieve.

Për zgjedhjen e një anëtari në Këshillin Prokurorial të Kosovës votuan 62 deputetë, ku prej tyre 3 vota ishin të pavlefshme.  Kandidati Shemsi Jashari mori 57 vota, ndërsa Naim Krasniqi mori  2 vota.

Sipas kryetares së komisionit, Margarita Kadriu anëtar i KPK-së nuk u zgjodh asnjëri nga kandidatet dhe se konkursi duhet të përsëritet.

Në Komisionin e Pavarur të Medieve u zgjodh anëtar Xhemajl Krasniqi me mandat 4 vjeçar. Kundërkandidat i tij ishte Fehmi Ajvazi.

Po ashtu gjatë seancës me kërkesë të Grupit Parlamentar të LDK-së, deputeti Bardhyl Metaj zëvendësohet me deputetin Salih Morina në Komisionin për Buxhet dhe Financa.

Në rend dite ishte edhe formimi i Komisionit ad hoc për përzgjedhjen e një anëtari në Bordin e Ankesave të Komisionit të Pavarur për Medie, por në mungesë kuorumi nuk u votua.