Foto: ZKM

Kurti takohet me shefin e OSBE-së dhe ambasadorin e Zvicrës, bisedojnë për funksionalizimin e Zyrës për Kontrollin dhe Harmonizimin Gjuhësor

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar me shefin e OSBE-së në Kosovë, Michael Davenport dhe ambasadorin e Zvicrës, Jurg Sprecher.

Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, në takim biseduan rreth mbështetjes për krijimin dhe funksionalizimin e Zyrës për Kontrollin dhe Harmonizimin Gjuhësor brenda Zyrës së Kryeministrit.

Ndërsa thuhet se Qeveria ka miratuar vendimin për krijimin e kësaj zyreje.

“Kjo zyrë do të punojë ngushtë me Zyrën e Komisionerit për Gjuhë në sigurimin e zbatimit të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, dhe do punësojë deri në 15 përkthyes, në mënyrë që ligjet dhe aktet nënligjore të paraqiten në të dy gjuhët zyrtare të Republikës së Kosovës me saktësi të plotë përkthimi. Me këtë angazhim të Qeverisë, po sigurojmë edhe sundimin e ligjit edhe zbatimin e të drejtave të të gjithë qytetarëve të Kosovës”- thuhet në njoftimin e ZKM-së më 06.05.2024.

Kurti i falënderoi ambasadorët Davenport dhe Sprecher për bisedën, bashkëpunimin dhe mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës.