Foto: ZPRK

Osmani: Investimet e MCC-së janë investim për të ardhmen e Kosovës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka marrë pjesë në aktivitetet e organizuara me rastin e shënimit të 20-vjetorit të Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC), në kuadër të Samitit SHBA-Afrikë në Dallas të Teksasit.

Osmani ka falënderuar kryeshefen ekzekutive të MCC-së, Alice Albgriht, për mbështetjen e vazhdueshme të MCC-së për zhvillimin ekonomik në sektorin e energjisë në Kosovë.

Sipas Osmanit, Kosova, nga një vend i shkatërruar nga lufta është shndërruar në demokraci të përparuar në rajon, me ekonomi në zhvillim dhe partnerë të besueshme.

“Partneriteti ndërmjet Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC) dhe Republikës së Kosovës ka qenë një rrugëtim transformues, duke sjellë përfitime të rëndësishme për popullin e Kosovës dhe ekonominë e saj, si dhe duke shënuar një kapitull të veçantë në marrëdhëniet dypalëshe”- ka thënë Osmani më 06.05.2024.

Më tej, Osmani ka potencuar se mbështetja e MCC-së për Kosovën shërben si një katalizator për zhvillimin ekonomik dhe tërheqjen e investimeve.

“Programet MCC-së në praktikë ndihmuan në transformimin e jetëve, ridizajnimin e politikave dhe rivendosjen e lidhjes ndërmjet sektorit të energjisë dhe ekonomisë”- ka theksuar ajo.

Sipas njoftimit të Zyrës së Presidentes, në tryezën ekzekutive në të cilën kanë marrë pjesë edhe Presidentët e Liberisë, Malawit e Cabo Verdes, si dhe me kryeministrat e Mauritanisë e Sierra Leones dhe të përfaqësuesve të shumtë të qeverisë amerikane u diskutua për bashkëpunimin në drejtim të adresimit të sfidave zhvillimore.

Më 05.05.2024, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar zyrtarisht për në Teksas të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe do të marrë pjesë në Samitin SHBA-Afrikë.