Tragjedia në Shkodër, gjendet trupi i fëmijës së dytë në lumin Buna
Ministri i Brendshëm i Shqiperisë, Taulant Balla, ka konfirmuar se është gjetur trupi i njërit prej dy fëmijëve në lumin Buna në Shkodër, derisa fëmija i tretë dhe trupi i nënës së tyre ende nuk është gjetur.
Balla ka thënë se po vazhdojnë kërkimet për të gjetur edhe trupat e nënës dhe fëmijës tjetër.
“Dyshimet tona po konfirmohen, sa është gjendur edhe trupi i një prej dy fëmijëve të tjerë, dhe natyrshëm sipas asaj që policia ka rindërtuar si skenar i kësaj ngjarje tepër të rëndë dyshohet se trupi i fëmijës tjetër dhe i nënës është në këtë zonë, policia Renea Forcat e sigurisë edhe peshkatarët po punojnë non-stop për të gjetur nënën dhe fëmijë tjetër”- ka thënë Balla, transmeton Top Channel.
Tutje ai u ka berë thirrje grave dhe vajzave të denoncojnë dhunën.
“Kjo është një ngjarje e rëndë, fjalët nuk i lidhim dot, por dua që nga ky moment i vështirë t’u bëj një thirrje grave dhe vajzave në këtë vend që ta denoncojnë dhunën. Kemi përgjegjësitë tona në këtë shoqëri”- tha Balla më 06.05.2024.
Më 05.05.2024, Policia e Shtetit njoftoi se një vajzë 9-vjeçare dyshohet se u mbyt në lumin Buna në Shkodër si pasojë e dhunës në familje nga babai i saj.
Policia e Shtetit shqiptar thotë se hetimet zbardhin rastin se për shkak se 31 vjeçari E.A shkaktoi dhunë ndaj bashkëshortes dhe tre fëmijëve, vajza e tij 9-vjeçare kreu vetëvrasje.
Sipas Policisë së Shtetit, dyshohet se edhe bashkëshortja me fëmijët e tjerë kanë kryer vetëvrasje.
Në komunikatë thuhet se nga hetimet e kryera dyshohet se shkaku i largimit nga banesa ishte dhuna e ushtruar nga E.A.
I dyshuari për këtë rast, më herët ishte i dënuar për kultivimin e bimëve narkotike.
Trupi i pajetë i 9-vjeçares u gjet në lumin Buna, në fshatin Darragjat rreth orës 22:00 të datës 04.05.2024.
Mbytet një 9-vjeçare në lumin Buna, Policia në kërkim të nënës dhe dy fëmijëve të tjerë