Ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli - Foto: KALLXO.com

Pacolli Thirrje Izraelit ta Rishqyrtojë Njohjen e Kosovës

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli i ka dërguar urime  popullit dhe përfaqësuesve të shtetit të Izraelit me rastin e shënimit të vitit jubilar të 70 vjetorit të Pavarësisë dhe i ka bërë thirrje edhe njëherë për rishqyrtimin e “njohjes de jure” të Pavarësisë së Kosovës në vitin e dhjetë të ekzistencës së saj si shtet i pavarur.

“Në këtë vit të veçantë​ të shënimit të 70 vjetorit të Pavarësisë, dëshiroj që t’i dërgoj urimet më të sinqerta popullit dhe lidershipit të shtetit të Izraelit. Bashkëjetesa dhe harmonia në mes shqiptarëve të Kosovës dhe hebrenjëve ka gjurmë historike shekullore në vendin tonë, duke përfshirë edhe periudhën e lavdishme të ndihmës në shpëtimin e tyre gjatë Luftës së Dytë Botërore. Marrëdhëniet në mes dy vendeve tona kanë shënuar ngritje të vazhdueshme edhe në nivelin Institucional që nga shpallja e Pavarësisë sonë dhjetë vjet më parë, por ky mund të jetë një moment i rëndësishëm për të reflektuar mbi shqyrtimin e njohjes edhe de jure të Kosovës”, ka deklaruar Pacolli, duke shtuar se pret që në të ardhmen e afërt të  ketë përfaqësim të Kosovës në Izrael./21Media