Behgjet Pacolli me përfaqësuesit e Kosovës në Komisionin e Venedikut, Foto: MPJ

Pacolli emëroi dy anëtarët përfaqësues të Kosovës në Komisionin e Venedikut

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli ka njoftuar për emërimin e dy anëtarëve përfaqësues të Republikës së Kosovës në Komisionin Evropian për Demokraci përmes Ligjit (Komisioni i Venedikut), i cili është mekanizëm në kuadër të Këshillit të Evropës.

Dy anëtaret e rinj të emëruar janë profesorët e Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Qerim Qerimi dhe Visar Morina.

Gjatë takimit, Pacolli, u kërkoi anëtarëve të sapoemëruar angazhim maksimal dhe përfaqësim sa më dinjitoz në Komisionin e Venedikut.

Kurse Qerimi dhe Morina, u zotuan për një punë dhe përfaqësim profesional të Republikës së Kosovës në këtë mekanizëm, me synimin e përmirësimit të rendit juridik, nivelit të demokracisë dhe forcimit të pozicionit të shtetit tonë në arenën ndërkombëtare.