MPJD: Një sulm terrorist i kryer nga grupet kriminale të Serbisë vrau një polic të Kosovës

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës përmes një deklarate për media e ka quajtur sulm direkt ndaj sigurisë dhe sovranitetit të vendit sulmin terrorist në komunën e Zvecanit ku një polic mbeti i vrarë dhe dy tjerë të plagosur.

“Një sulm terrorist i kryer nga grupet kriminale të Serbisë vrau një polic të Kosovës në krye të detyrës, ndërsa dy të tjerë u plagosën në komunën veriore të Zveçanit në Kosovë. Kjo përbën sulm të drejtpërdrejtë ndaj sovranitetit dhe sigurisë së Kosovës”- thuhet në reagimin e ministrisë.

Tutje, ministria u ka bërë thirrje partnerëve ndërkombëtarë që të dënojnë sulmet e sotme terroriste dhe përpjekjet destabilizuese të Serbisë në Kosovë dhe rajon në termat më të fortë të mundshëm.

MJP ka potencuar se mbështetja e dhunës nga Serbia paraqet shkelje flagrante të sigurisë kombëtare.

“Derisa jemi të pikëlluar me humbjen e oficerit, riafirmojmë angazhimin tonë për të mbështetur sundimin e ligjit dhe sigurinë në të gjithë territorin tonë. Mbështetja e dhunës dhe terrorizmit nga Serbia paraqet një shkelje flagrante të sigurisë kombëtare dhe ligjeve, parimeve dhe vlerave tona ndërkombëtare”- ka theksuar ministria.

Kryeministri Kurti ka deklaruar sot gjatë ditës se rreth 30 persona të armatosur kanë kryer një sulm terrorist në fshatin Banjskë të Zveçanit duke vrarë një zyrtar policor dhe plagosur një tjetër.

Zhvillimet pas vrasjes së policit të Kosovës në veri të vendit