Selia e OShP-së. Foto: Kallxo.com

OShP angazhon përmbaruesit privatë për mbledhjen e gjobave

Gjoba mijëra eurosh të shpërndara çdo vit për autoritete kontraktuese të cilat nuk i kanë zbatuar vendimet e “Gjykatës së Tenderëve” nuk kanë arritur të inkasohen as gjatë vitit 2017.

Por Organi Shqyrtues i Prokurimit (OShP) si duket ka gjetur formulën se si t’i inkasojë mjetet nga autoritetet e gjobitura.

Ka angazhuar përmbaruesit privatë.

Në raportin vjetor të këtij institucioni për vitin 2017 thuhet se që këto mjete t’i kalojnë buxhetit të vendit, OShP-ja ka angazhuar përmbaruesit privatë.

Madje, ky institucion thotë se është caktuar seanca për përmbarimin e gjobës për Komunën e Dragashit dhe pas vendimit, radhën do ta kenë edhe autoritet tjera.

“Organi Shqyrtues tanimë ka filluar procedurat për ekzekutimin e gjobave përmes institucionit të përmbaruesit privat. Është caktuar seanca për përmbarimin e gjobës ndaj Komunës së Dragashit në Gjykatën Themelore në Prizren- Dega Dragash dhe OShP është në pritje të vendimit, ndërkaq menjëherë pas vendimit do të procedojë të gjitha gjobat tjera ndaj autoriteteve kontraktuese”, thotë raporti.

Sipas raportit vjetor të OShP-së, në vitin 2017 “Gjykatë e Tenderëve” ka shpërndarë rreth 45 mijë euro gjoba për disa autoritete kontraktuese.

“Gjatë vitit 2017, OShP-ja ka shqiptuar katër gjoba për mosrespektim të vendimeve të paneleve shqyrtuese dhe atë ndaj Telekomit të Kosovës 25,000.00 €, një ndaj KK Dragash 5,000 €, KK Gjilan 10,000.00 euro dhe KK Prizren 5,000 € “, tregon raporti.

OShP-ja në raport përmend se vendimet e saj janë të ekzekutueshme përfundimtare, por Thesari i Ministrisë së Financave nuk i ka ekzekutuar, pasi ky institucion i ekzekuton vetëm vendimet e plotfuqishme të gjykatave kompetente.

Kështu që, gjobat e shqiptuara që nga viti 2009 e këndej nuk kanë arritur të inkasohen edhe në 2017-ën.