Ilustrim

Rajoni i Ferizajt, mbi 6 mijë gjoba për kundërvajtje dhe 141 heqje të patentë-shoferëve gjatë janarit

Në rajonin e Ferizajt gjatë muajit janë shqiptuar 6,100 gjoba për kundërvajtje dhe janë hequr 141 patentë-shoferë për drejtuesit e automjeteve që kanë shkaktuar kundërvajtje më të rënda në komunikacion.

Sipas njoftimit të policisë, numri më i madh i gjobave është shqiptuar për tejkalim të shpejtësisë ndërsa numri më i vogël për mosrespektim të këmbësorëve.

“Tejkalim i shpejtësisë – 1553 gjoba; mospërdorimi i rripit të sigurisë – 626 gjoba; përdorimi i telefonit gjatë ngasjes – 464 gjoba; xhamat e errët, vendosja e foljes ose materialit tjetër – 261 gjoba; drejtimi i mjetit pa patent-shofer – 192 gjoba; skadimi i afatit të regjistrimit të automjetit – 150 gjoba; tejkalim në vijë të plotë, apo vend të ndaluar – 53 gjoba;  kyçja e parregullt në rrugën kryesore – 34 gjoba; drejtimi  i automjetit nën ndikimin e alkoolit – 18 gjoba; mjetet pjesëmarrëse në trafik pa sinjalizim të duhur ndriçues – 5 gjoba; tejkalim i kolonës së automjeteve – 4 gjoba; mosrespektimi i këmbësorëve – 3 gjoba; të tjera, 2737 gjoba” – theksohet në njoftimin e policisë.

Policia ka apeluar te qytetarët që të kenë kujdes në mënyrë që të parandalohen aksidentet në komunikacionin rrugor dhe po ashtu të njoftojnë policinë për kundërvajtjet që shkaktohen në komunikacion.

“Ftojmë qytetarët që të bashkëpunojnë më policinë. Për të gjitha kundërvajtjet që shkaktohen në komunikacion, të njoftojnë menjëherë policinë, stacionin më të afërt, apo përmes aplikacionit digjital “Lajmëro Policinë” dhe në numrat kujdestarë: 192 ,0290/326-250 & 0290/322-406”- thuhet më tej në njoftim.