Orari i Heqjes së Mbeturinave Miratohet Pa Opozitën

Në Asamblenë e Pejës erdhi plani i ndërmarrjes “Ambienti” për orarin e grumbullimit të mbeturinave, ndërsa këshilltari i AAK-së Naim Sahiti tha se nuk është punë e Kuvendit Komubal miratimi i planit të një ndërmarrjeje.

“Nuk është detyrë e Kuvendit me miratuar plan operativ të ndërmarrjes “Ambienti”. Drejtori është edhe kryetari i Komisionit Komunal të Aksionarëve. Me sa e di unë, ky ka pasur obligim që në nëntor të vitit 2015 të na sjell planin e biznesit të ndërmarrjes “Ambienti” për vitin 2016 që nuk është pru hiq. Edhe nuk e di qysh punon tani ndërmarrja pa plan të miratuar prej kuvendit kur kjo është obligim ligjor,” tha Sahiti.

Sahiti që edhe drejton AAK-në në Pejë tha se problemi i mbeturinave në këtë komunë nuk zgjidhet vetëm me orar të grumbullimit të tyre.

“Çështja tjetër është se sipas këtij orarit që vërtet nuk është i arsyeshëm me na pru neve, prapë po shohim se nuk ka me pasë trajtim të mbeturinave, ka me pasë grumbullim. Na keni pru një orar ku ka me ardhur një kamion në cilën lagje ka me marr bërllogun me çu në deponi. Domethënë këtu po shihet që edhe vitin 2016 nuk ka me pasë trajtim të mbeturinave, a është kjo ?, “ pyeti asamblisti.

Drejtori i Shërbimeve Publike Ukë Selimaj tha se ky plan operativ është sjellë në rend dite për hir të transparencës dhe për të parë së në cilat pika të qytetit do të bëhet grumbullimi i mbeturinave nga ndërmarrja “Ambienti”.

“Ky është një plan operativ dhe nuk është aq qesharak sa po e bën Naim. Për shkak së është bërë transparente dhe le të dihet së kush ku ka me mbarë mbeturina, cila lagje dhe cila rrugë. Domethënë është plan operativ, nuk është aq qesharak,” tha Selimaj.

Ai bëri të ditur se edhe plani i punës së ndërmarrjes që mbledh mbeturinat në Pejë do të vijë në asamble.

“Ndërsa për seancën e ardhshme do të jetë i kompletuar çdo dokumentacion që ka të bëjë me menaxhimin e mbeturinave. Plani, rregullorja, plani i biznesit dhe çdo veprim që ka të bëjë me kompaninë e pastrimit,” tha Selimaj.

Pastaj në asamble u nxor për votim orari i mbledhjes së mbeturinave nëpër lagjet e Pejës. Ai u miratua me 18 votat e pozitës, ndërsa 11 këshilltarët opozitarë nuk votuan fare.

Në Pejë pushteti lokal përbëhet nga koalicioni LDK-PDK-Partia e Drejtësisë, ndërsa opozita ka në përbërje këshilltarë nga AAK-ja, VV-ja, AKR-ja dhe komunitetet pakicë.