Opozita: Problemi në Veri Nuk u Zgjidh me Ndaljen e Trenit

Shefi i grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca në fjalën e tij në Kuvend ka folur për ndalimin e trenit serb të hyjë në Kosovë.

“Qeveria dhe institucionet tona nuk kanë qenë aq të papranishme në atë pjesë, saqë tash është krijuar përshtypja që ndalja e një treni dhe prishja e një muri do ta rregullonte problemin në veri, por kjo nuk është e vërtetë. Situata në veri rregullohet vetëm kur të largohen strukturat paralele”, tha Konjufca.

Sipas tij, qeveria e Kosovës dhe ajo e Serbisë janë duke bërë spektakël.

“Qeveria jonë dhe e Serbisë po krijojnë spektakle. Qysh është e mundur që të ndalet Nikoliqi, e pas dy dite e të hyjë Gjuriqi. Qysh është e mundur të ndalet një tren të hyj në Kosovë e të mos ndalet ndërtimi i murit. Serbia ose ndalet ose nuk ndalet”, tha Konjufca.

Ndalja e trenit të shtunën e kaluar e ka nxjerrë një betejë të heshtur brenda institucioneve për meritat pas këtij veprimi.

Por shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Pal Lekaj, e relativizoi këtë ndalesë ndërsa kërkoi veprime tjera të institucioneve në atë pjesë.

“Nuk e keni bërë namin që e keni ndalë trenin, sepse ajo ka qenë detyrë e juaj kushtetuese”, tha Lekaj.

“Meqë keni vepruar me trenin, pse nuk po veproni edhe me murin. Njëjtë duhet të reagoni edhe për çështjen e dialogut.  Nuk duhet të ktheheni në atë tavolinë, sepse tash për tash ajo tavolinë është vetëm nënshtrim për Kosovën”, tha Lekaj.