Nuk Mbahet Seanca e Shyhrete Berishës për Shtëpinë

Në lëndën e vërtetimit dhe dorëzimit të paluajtshmërisë, ku paditëse është Shyhrete Berisha nga Suhareka, të mërkurën seanca gjyqësore nuk u mbajt për shkak se munguan të autorizuarit e të paditurve- avokatët Shemsije Sheholli dhe Shpresa Berisha- Rexhepi.

I autorizuari i Shyhrete Berishës, avokati Naim Qelaj kërkoi nga gjykata që seanca të mos mbahet pa prezencën e të autorizuarve të të paditurve.

“Këtë shtyrje e kërkoj pasi që kam propozim për sqarim të provave materiale”, tha Qelaj.

Avokati Qelaj, po ashtu i propozoi gjykatës që të mos zvarritet më tutje ky shqyrtim gjyqësor pa fajin e palës paditëse dhe kërkoi që për seancën e radhës të ftohet edhe eksperti financiar.

“Të ftohet eksperti financiar Ali Gagica, i cili ka dhënë mendimin me shkrim, që të sqarohet lidhur me ndryshimet që ka bërë në ekspertizën e tij. Në këtë mënyrë nuk do të prolongohej më tej kjo çështje ngase është interesi i gjykatës dhe palës paditëse”, tha Qelaj.

Gjykata aprovoi propozimin e avokatit që për seancën e radhës të ftohet eksperti financiar Ali Gagica.

Seanca e së mërkurës nuk u mbajt, ndërsa seanca e radhës u caktua më 4 prill.

Shyhrete Berisha i ka mbijetuar masakrës së familjes Berisha të 26 marsit 1999 në Suharekë, në të cilën asaj iu vranë bashkëshorti dhe katër fëmijët, më i riu prej të cilëve kishte më pak se dy vjet, ndërsa vetë ajo mbeti e plagosur.

Mirëpo, pas luftës, më 2001 ajo nisi një betejë gjyqësore me kunatin e saj, Xhelal Berisha, i cili i mori shtëpinë në të cilën Shyhretja kishte jetuar me familjen e saj deri në ditën e masakrës.

KALLXO.com ka shkruar vazhdimisht për këtë proces gjyqësor, ndërsa këto shkrime mund t’i lexoni në këtë link.