
I akuzuari për djegien e garazhit të gazetarit Alban Selimi kërkon falje për veprimin e tij
Arsim Limani u ul sot në bankën e të akuzuarve në Gjykatën e Prishtinës për t`u përballur me akuzat që e rëndojnë për vrasjen e rëndë në tentativë të gazetarit Alban Selimi me rastin e djegjen e garazhës së tij.
Limani e pranoi veprimin e vënies së flakës së shtëpisë së Alban Selimit por që sipas tij nuk ka pasur qëllim të lëndoj askënd ndërsa këto veprime i ka bërë me qëllim që të lë një “mesazh”.
“Nuk kam pas qëllim me lëndu kërkon. I kërkoj falje Albanit. Kam dashur ta lë një mesazh”, u shpreh i njejti gjatë seancës.
“Zjarrvënien e pranoj prapë. S’kam pas qëllim me lëndu kërkon. E kam marr ma të keqen në gjykatë të zonja për vrasje të rëndë në tentativë”, tha tutje Limani.
Ndërsa avokati i tij mbrojtës Fanol Krasniqi tha se kualifikimi ligjor i veprës penale të bërë nga Prokuroria është imponuar nga ndikimi i mediave.
“Pesha e veprës penale që thirret Prokuroria konsideroj që kjo bazë ligjore në këtë fazë e me këtë kualifikim është inekzistent për faktin se kjo peshë ose ky kualifikim juridik u imponua nga ndikimi i mediave që në vazhdimësi kanë shprehë interesim se cili është fate i kësaj çështje”, tha avokati Krasniqi.
Tutje i njëjti i bëri thirrje edhe gjyqtares së rastit Medije Bytyqi që të mos ndikohet nga mediat me rastin e marrjes së vendimeve në këtë çështje penale.
“Kryetare e trupit gjykues nuk duhet të ndikoheni nga mediat që të merrni ndonjë vendim që edhe më tej e Arsim Limani të qëndroj në paraburgim…”, ishin fjalët me të cilat Krasniqi iu drejtua gjyqtares.
Kjo deklaratë erdhi si rrjedhojë e kërkesës që avokati Krasniqi bëri lidhur me masën e paraburgimit nën të cilën gjendet i mbrojturi i tij.
I njëjti kërkoi që kjo masë të i zëvendësohet me një më të butë duke u thirrur në gjendjen shëndetësore të të akuzuarit Limani.
Këtë kërkesë e arsyetoi me bazën se i mbrojturi i tij nuk ka tentuar kurrë të arrastiset e se vullnetarisht ishte paraqitur në stacion policor pasi kishte pranuar ftesën.
Ndërsa Prokurori i shtetit Ilaz Beqiri ka kundërshtuar këtë kërkesë e këtë qëndrim të tij e mbështeti edhe përfaqësuesi i palës së dëmtuar avokati Kujtim Kerveshi.
Ndërkaq propozimin e tillë e refuzoi gjyqtarja me ç’rast mori aktvendim me të cilin la në fuqi vendimin e vazhdimit të paraburgimit.
Sipas dosjes së Prokurorisë në mars të këtij viti i akuzuari Arsim Limani ka tentuar të privojë nga jeta Alban Selimin përmes ndezjes së flakës në garazhin e shtëpisë së tij.
Gjithnjë sipas aktakuzës Arsim Limani ishte afruar tek dera e garazhës dhe kishte hedhur një shishe benzinë të ndezur me ç’rast garazhën e kanë përfshirë flakët.
Alban Selimi në kohën e kryerjes së veprës nuk ka qenë në shtëpi kështu duke iu rrezikuar jetën bashkëshortes dhe fëmijëve të Selimit – thuhet në aktakuzë.
Ndërsa sipas aktakuzës në kornizën e dritares paraprakisht kishte shkruajtur fjalët “Mos ha m** shumë”.
Zjarri, sipas aktakuzës, është vërejtur dhe fikur nga kalimtarët e rastit.
Seanca e radhës pritet të mbahet me datë 6 nëntor.