Shtëpia e rrënuar e Familjes Koroglu. Foto: RrOK Mitrovicë.

Rrënohet një pjesë e shtëpisë së “Familjes Koroglu” e mbrojtur me ligj, reagon rrjeti i OJQ-ve në Mitrovicë

Rrjeti i Organizatave Kulturore të Mitrovicës (RrOK) ka reaguar lidhur me rrënimin e një pjese të monumentit – shtëpisë së “Familjes Koroglu” në Mitrovicë.

Shtëpia e “Familjes Koroglu” konsiderohet si një prej monumenteve më të vjetra të Trashëgimisë Kulturorë dhe historike në Mitrovicë.

Përmes një njoftimi, ky rrjet bën me dije se shtëpia e “Familjes Koroglu”, e mbrojtur me ligj si vlerë e trashëgimi kulturore, është rrënuar pjesërisht dhe ka rrezik të rrënohet në tërësi.

“Shtëpia e familjes Koroglu e ndërtuar në shekullin XIX me stil otoman, është një dëshmi e qartë e pasurisë historike dhe kulturore të qytetit të Mitrovicës dhe si e tillë ka hyrë në mbrojtje që nga viti 1978, si dhe vazhdon të jetë në listën e objekteve nën mbrojte nga Ministria e Kulturës e Republikës së Kosovës (kategoria: trashëgimi arkitekturore, me numër unik 3 në databazë). Rrënimi i këtij objekti të çmuar për trashëgiminë tonë është një humbje e thellë që prek jo vetëm të tashmen, por gjithashtu dhe gjeneratat e ardhshme” – thuhet në reagimin e RrOK-ut.

RrOK kërkon që institucionet përgjegjës të marrin hapa për riparimi të dëmit të shkaktuar dhe restaurim konservimin e kësaj shtëpie dhe nisjen e një proces për hartimin e një plani të për menaxhimin e trashëgimisë kulturore në Mitrovicë.

MKRS nuk i është përgjigjur interesimit të KALLXO.com lidhur me reagimin e RrOK-ut në Mitrovicë dhe masave që po merr për shpëtimin e shtëpisë së “Familjes Koroglu”, deri në publikimin e shkrimit.