Shtëpia e rrënuar e Familjes Koroglu. Foto: RrOK Mitrovicë.

Dëmtimi i monumentit në Mitrovicë, reagon Ministria e Kulturës

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka reaguar pas dëmtimit të një pjese të shtëpisë së famljes Koroglu, monument i mbrojtur i trashëgimisë kulturore në Mitrovicë.

Në një përgjigje për KALLXO.com MKRS ka thënë se që monumenti “Shtëpia e Familjes Koroglu”  është dëmtuar në mënyrë të qëllimshme, gjë të cilën e kanë evidentuar autoritetet e Trashëgimisë Kulturore në kuadër të MKRS-së.

MKRS thotë se në bashkëpunim me organet kompetente, janë ndërmarrë veprimet nga Inspektorati për Trashëgimi Kulturore për ndalim të punëve të paautorizuara dhe janë iniciuar kallëzimet e nevojshme.

Sipas MKRS-së qysh javën e kaluar ka nisur puna nga  ekipi për hartimin e projektit ideor të masave të sigurisë-ndërhyrjeve emergjente nga Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Mitrovicë këtë monument.

“Janë një varg masash që autoritetet përkatëse janë dakorduar që të ndërmerren, si: monitorimi i monumentit nga Policia e Kosovës brenda çdo një ore deri në ndryshim të rrethanave; rrethimi i monumentit të rrezikuar, për të siguruar ndërtesën dhe kalimtarët e rastit nga MKRS; hartimi sa më i shpejtë i projektit ideor nga QRTK-Mitrovicë dhe IKMM-ja për masat e sigurisë-ndërhyrjeve emergjente dhe pajisja me pëlqim, jo më larg se deri në fund të kësaj jave”- thuhet në përgjigjen e MKRS-së. Po sipas saj, pas ndërmarrjes së këtyre masave, do të vazhdojë hartimi i projektit të konservimit/restaurimit të tërësishëm të ndërtesës.

Dy ditë më parë, më 21 gusht 2023, Rrjeti i Organizatave Kulturore të Mitrovicës (RrOK) ka reaguar lidhur me rrënimin e një pjese të monumentit – shtëpisë së Familjes Koroglu në Mitrovicë.

Shtëpia e Familjes Koroglu konsiderohet si një prej monumenteve më të vjetra të Trashëgimisë Kulturorë dhe historike në Mitrovicë.

RrOK u ka kërkuar institucioneve përgjegjës të marrin hapa për mbrojtjen, ruajtjen dhe rsturimin e këtij monumenti.

“Rrënimi i këtij objekti të çmuar për trashëgiminë tonë është një humbje e thellë që prek jo vetëm të tashmen, por gjithashtu dhe gjeneratat e ardhshme” -thuhet në reagimin e RrOK-ut.

Më 18 gusht Policia  e Kosovës përmes një njoftimi ka bërë të ditur se ka arrestuar një preson për dëmtim të një të objektit të mbrojtur të trashëgimisë kulturore. Policia ishte njoftuar se një person ishte duke rrënuar një shtëpi te trashëgimisë kulturore.

Sipas njoftimit, njësitë policore kanë shkuar në atë lokacion ku kanë hasur ne një makinë pune eskavator, ndërsa nuk kishte pasur persona, dhe kane vërtetur se një objekte i trashëgimisë kulturore ishte dëmtuar.

“Policia kane arritur ta identifikojnë te dyshuarin F.H. 26 vjeçar, shtetas i Republikës se Kosovës, i cili është shoqëruar ne Stacionin Policor Jugu në Mitrovicë. Pas  intervistimit, me urdhër të  prokurorit, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt, ndaj tij është iniciuar rast për veprën penale ,,Dëmtimi, shkatërrimi i monumenteve ose objekteve te mbrojtura”- thuhet në njoftimin e Policisë.

Shtëpia qytetare e famljes Koroglu e shekullit XIX (19), gjendet jo larg nga qendra e vjetër e qytetit të Mitrovicës.

Shtëpia i takon tipit me çardak të mbyllur.