Ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi - Foto: Facebook

Nënshkruhet Udhëzimi Administrativ për Bordin e Agjencisë së Akreditimit

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ka hartuar udhëzimin administrativ mbi kriteret e emërimit të anëtarëve të Këshillin Shtetëror të Cilësisë së Agjencisë së Kosovës për Akreditim.

Kështu ka bërë të ditur ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi në profilin e tij në “Facebook”.

“Unë si ministër, kam angazhuar punën e përbashkët të partive edhe opozitare, komisionin për arsim në Parlamentin e Kosovës, shoqërinë civile, akademinë dhe konferencën e rektorëve dhe në kohë rekord kemi përfunduar, me ç ‘rast kam nënshkruar Udhëzimin administrativ mbi kriteret e emërimit në Këshillin Shtetëror të Cilësisë”, ka shkruar Bytyqi.

Ndër të tjera ai ka bërë të ditur se në bazë të kritereve të këtij udhëzimi është lëshuar ftesa për konkurrimin e kandidatëve që sipas Bytyqit do të mbyllet në afat rekord

“Do i hapim rrugë Kuvendit ta miratoj listën e aplikuesve që do përzgjedhim”, ka shkruar Bytyqi.

I pari i arsimit tha se Kosova do të bëhet me institucion akreditimit profesional dhe të besueshëm.

“Me bashkërenditjen e të gjithë akterëve dhe kriteret profesionale, e duke mbajtur larg duart e politikës nga zhvillimet e mëtutjeshme të AKA-së, ne do ti japim vendit një vlerë të shtuar në rrugëtimin tonë të rritjes arsimore”, ka theksuar ministri.

Bytyqi tha se nuk do të ndalen me kaq, pasi që sipas tij sapo të mbarojë ky proces, MAShT  do dalë me një projekt angazhues të të gjithë akterëve të shoqërisë.

“Do shtrojmë debatin sa profesional, po aq edhe publik: Çfarë arsimi duam? Shoqëria jonë ka nevojë të dijë, çfarë po ndodhë me arsimin e brezave? Çfarë arsimi kemi dhe pse ai është kështu sikur dhe është?”, ka shkruar ministri Bytyqi.