Në Apel Ankesa për Sylejman Selimin

Sylejman Selimi, Ismet Haxha, Shefki Hyseni e Nexhat Qubreli në maj të vitit 2014 qenë shpallur të pafajshëm nga akuzat për keqtrajtimin e dëshmitareve të koduara me shkronjat A dhe B.

Në po njëjtin vit Prokuroria Speciale kishte bërë ankesë  duke kërkuar që Gjykata e Apelit si gjykatë e një shkalle më të lartë t’i dënojë të akuzuarit, ose çështjen ta kthejë në rigjykim për rivendosje.

Selimi dhe të Tjerët Shpallen të Pafajshëm (TV)

Sipas ankesës së Prokurorisë Speciale, Gjykata e Mitrovicës para gati dy vjetësh bëri shkelje të dispozitave ligjore duke mos vërtetuar plotësisht, ose vërtetuar në mënyrë të gabuar gjendjen faktike.

Prokuroria Speciale thekson se gjykata e shkallës së parë nuk ka argumentuar se cilat janë fakte të besueshme e cilat nuk janë të besueshme, se ajo nuk u ka dhënë rëndësinë e duhur dëshmive të  dëshmitareve A dhe B që  ishin edhe viktima të këtij rasti dhe se ajo gjykatë nuk i  ka analizuar shumicën e provave për identifikimin e të akuzuarave.

Kjo prokurori pretendon se gjykata është dashur ta marrë parasysh se Sylejaman Selimi ka qenë i njohur nga mediat dhe se ai njihej edhe me nofkat  “Likoci“ dhe “Sulltan Sylejman” .

Ankesës së Prokurorisë Speciale i dha mbështetje edhe Prokuroria e Apelit, ndërsa ndryshe nga dy prokuroritë mendojnë të akuzuarit dhe mbrojtësit e tyre.

Adelina Hoxha-Shabani, përfaqësuese e  Shefki Hysenit tha para trupit gjykues se vendimi i gjykatës së shkallës së parë është shumë i drejtë.

“Ajo i ka shqyrtuar të gjitha provat e paraqitura që kanë pasur të bëjnë më këtë rast, nëse kjo çështje  kthehet në rigjykim do ta rrezikonte të vërtetën sepse viktimat me anë të aktgjykimit janë njoftuar për arsyet se pse dëshmitë e tyre ishin kontradiktore dhe në një gjykim tjetër ato mund të jenë më të përgatitura,” tha Shabani.

Hoxha-Shabani kërkoi që Gjykata e Apelit ta refuzojë ankesën e prokurorisë dhe ta vërtetojë aktgjykimin që ka marrë shkalla e parë.

Mendimin e njëjtë me të për refuzimin e ankesës  e kishin edhe mbrojtësit e të akuzuarve të tjerë.

Bajram Tmava i cili mbron të akuzuarin Nexhat Qubreli  tha se në karrierën e tij të deritashme nuk ka hasur në ndonjë aktgjykim të arsyetuar më mirë se ky që ka nxjerrë gjykata në Mitrovicë në vitin 2014.

Tmava shtoi se nëse ky aktgjykim vërtetohet edhe në Gjykatën e Apelit atëherë do të mund të përdorej shumë mirë në praktikën tonë gjyqësore.

Se ai aktgjykim duhet të përdoret si shembull në praktikën gjyqësore e tha edhe Mahmut Halimi, avokat i të akuzuarit tjetër Ismail Haxha.

Mbrojtjen e Sylejman Selimit i cili nuk ishte i pranishëm në seancë e përbënin avokatët Tomë Gashi dhe Gregory Guy Smith.

Smith i përmendi disa raste nga praktika e huaj me të cilat Apeli i ka vërtetuar vendimet e shkallës së parë. Ai tha se gjykata në mënyrë shumë të qartë i ka gjetur moskoordinimet e dëshmive të cilat janë dhënë në shqyrtimin gjyqësor.

Të akuzuarit Shefki Hyseni, Nexhat Qubreli dhe Ismail Haxha në fjalën e tyre i përkrahen fjalët e avokatëve se aktgjykimi që ata i kishte shpallur të pafajshëm ishte i drejtë.

Sylejman Selimi,  ish-ambasador i Kosovës në Tiranë, ish-komandant i FSK-së dhe një ish- komandant i lartë i UÇK-së akuzohej për keqtrajtimin e dy vajzave në Likoc të Drenicës në dhjetorin e vitit 1998 të njohura si dëshmitaret A dhe B.

Shefki Hyseni akuzohej për dhunimin e njërës prej tyre, ndërsa si Selimi edhe Ismet Haxha e Nexhat Qubreli akuzoheshin për keqtrajtim të dëshmitareve A dhe B.

KALLXO.com në vazhdimësi  ka raportuar për këtë rast.

Selimi Deklarohet i Pafajshëm në Gjykatën e Veriut

Rrëfimi i Dy Dëshmitarëve Për Tmerret E Ditëve Në Duar Të Ushtarëve Të UÇK-së

Selimi  vitin e kaluar në dy gjykimet e “Grupit Drenica” u dënua me 14 vjet burg.

http://kallxo.com/denohen-sami-lushtaku-e-sylejman-selimi/

Sylejman Selimit edhe Tetë Vjet Burg në “Drenica 2”