Të prekurit nga vërshimet marrin ndihma - Foto: Komuna e Gjakovës

Ndihmohen të Prekurit nga Vërshimet në Gjakovë

Komuna e Gjakovës, në bashkëpunim me UNDP-në dhe Kryqin e Kuq të Kosovës, sot ka shpërndarë pako me ndihma ushqimore dhe dru zjarri për 32 familje të kësaj komune, të prekura nga vërshimet e para disa ditësh.

Familjet që u ndihmuan sot janë kryesisht të komuniteteve pakicë, të cilat kanë humbur pothuajse gjithçka nga hyrja e ujit nëpër shtëpitë e tyre.

Për këtë arsye, atyre u janë dhuruar pako ushqimore të cilat përmbajnë miell, sheqer, makarona, vaj dhe gjëra të tjera ushqimore, e gjithashtu edhe një sasi të druve të zjarrit, pasi mungesa e tyre gjatë kësaj periudhe të ftohtë është shumë problematike për ta.

Ndryshe, kjo nuk është hera e parë që këto familje po ndihmohen pas problemeve që patën me vërshimet.

Ditë më parë kanë marrë edhe një sasi tjetër të ndihmave ushqimore, ndërsa 6 familje tjera të cilat kanë pasur dëme të pariparueshme, janë strehuar në objekte të tjera, ndërsa pagesën e qerasë për shfrytëzimin e këtyre familjeve e ka marrë mbi supe Komuna.

KALLXO.com ka raportuar për vërshimet që kanë ndodhur para dhjetë ditësh, me ç’rast shumë familje rrezikoheshin nga uji i lumenjve që kanë dalë nga shtrati.

http://kallxo.com/lumenjte-dalin-nga-shtrati-rrezikojne-gjakoven/