Natasha Kandiq Nominohet për Çmimin Nobel për Paqe

Dy kongresmenë amerikanë kandiduan aktivisten për të drejtat e njeriut Natasha Kandiq dhe Qendrën për të Drejtën Humanitare, e cila dokumenton shkeljet e kryera gjatë luftërave jugosllave, për çmimin prestigjioz.

Senatori amerikan Roger Wicker dhe përfaqësuesi Eliot Engel propozuan të mërkurën aktivisten serbe për të drejtat e njeriut Natasha Kandiq dhe OJQ-në Qendra për të Drejtën Humanitare me seli në Beograd për Çmimin Nobel për Paqe 2018.

“Ne jemi të bindur se një njohje e tillë do ta çonte më tej kauzën e paqes dhe pajtimit në këtë dhe rajone të tjera të trazuara të botës tonë,” thanë Wicker dhe Engel në letrën e nominimit drejtuar Komitetit Norvegjez të Nobelit.

Kandiq themeloi Qendrën për të Drejtën Humanitare në vitin 1992 për të dokumentuar shkeljet e të drejtave të njeriut të kryera gjatë konflikteve në ish-Jugosllavi.

Sipas dy kongresmenëve amerikanë, “dokumentimi i plotë i këtyre krimeve nga HLC-ja u bë tepër e rëndësishme për sigurimin e drejtësisë, si në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, ashtu edhe në gjykata e krimeve të luftës në vendet e rajonit”.

Letra e nominimit thekson se HLC ka vazhduar të punojë në një mjedis armiqësor në Serbi, por është “e sigurt të supozohet” se përpjekjet e saj “penguan shkelje të mëtejshme të të drejtave të njeriut”.

“Natasha Kandiq mbetet një frymëzim për një  brez të ri kushtuar profesionistëve të rinj që tani drejtojnë Qendrën për të Drejtën Humanitare”, thanë Wicker dhe Engel.

Kandiq është tani një aktiviste për krijimin e KOMRA, një komision rajonal që do të hartojë një listë me emrat e personave të vrarë, të zhdukur, të burgosur dhe të torturuar në të gjithë konfliktet në ish-Jugosllavi.