Natasha Kandiq, themeluese e Fondit për të Drejtën Humanitare

Natasha Kandiq: Autoritetet serbe akuzojnë NATO-n për agresion, për të mbuluar krimet e veta

Duke akuzuar NATO-n për agresion, autoritet në Serbi kanë për qëllim mbulimin e krimeve në Kosovë, thotë aktivistja serbe për të drejtat e njeriut, Natasha Kandiq.

“Me akuzën e NATO-s për “agresion”, të gjitha autoritetet në Serbi kanë një qëllim – të mbulojnë krimet në Kosovë të kryera nga Ushtria Jugosllave dhe Ministria e Brendshme e Serbisë: 7,000 civilë u vranë në 78 ditë” – ka shkruar Kandiq në rrjetin social X.

Për çdo viktimë të vrarë në sulmet e NATO-s, sipas saj, përgjegjësia është e ish-qeverisë, Partisë Socialiste të Serbisë dhe Partisë Radikale Serbe, për mosnënshkrimin e planit të paqes në Rambuje.

“NATO nuk ishte në terren dhe nuk mundi të parandalonte granatimet e fshatrave, plaçkitjen, djegien e shtëpive, konfiskimin e dokumenteve, por u mundësoi popullatës së shpërngulur të kthehej në vendin e tyre. Më pas mundi, por nuk e pengoi hakmarrjen e UÇK-së ndaj pakicave” – ka shkruar më tej Kandiq.

Kandiq, e cila është themeluese e organizatës Fondi për të Drejtën Humanitare kishte thënë më parë se nuk beson që Serbia do t’i hapë arkivat e saj, për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur, të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.

Nesër bëhen 25 vjet që kur filluan bombardimet e para të forcave ajrore të Aleancës Veri-atlantike, NATO, kundër forcave serbe në Kosovë.

Urdhrin për fillimin e fushatës bombarduese e kishte dhënë Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton.

Për 78 ditë sa zgjatën bombardimet e NATO-s mbi caqet serbe, shqiptarët kanë qenë të vendosur në zona të ndryshme të Kosovës.

Këto bombardime janë ndërprerë më 10 qershor 1999 me miratimin e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Më ndërhyrjen e NATO-s u mundësua edhe kthimi i qytetarëve të cilët janë dëbuar nga forcat serbe për t’u kthyer në shtëpitë e tyre në Kosovë.