Rusisë dhe Bjellorusisë i ndalohet pjesëmarrja në ceremoninë e çmimit Nobel  

Vendimi vjen disa orë pasi Rusia shpalli një fitues të çmimit Nobel për Paqe si “agjent i huaj”.

Fondacioni Nobel e ka kthyer prapa vendimin e tij për t’i ftuar ambasadorët e shteteve autoritare të përfshira në luftën në Ukrainë në ceremoninë e tij vjetore të çmimeve pas dënimit nga Kievi dhe kryeqytetet e tjera evropiane.

Në një deklaratë të shtunën, Trusti suedez pranoi se politika e saj për të ftuar ambasadorë nga të gjitha vendet “në përputhje me praktikën e mëparshme” kishte “provokuar reagime të forta”.

Përballë dënimit në rritje, përfshirë edhe nga qeveria e Suedisë, organizatorët do të “zgjidhin të përsërisin përjashtimin e vitit të kaluar nga praktika e rregullt – domethënë, të mos i ftojnë ambasadorët e Rusisë, Bjellorusisë dhe Iranit në ceremoninë e ndarjes së çmimit Nobel në Stokholm.” Megjithatë, thuhet, ftesa e tyre për një ceremoni paralele në Oslo ende qëndron.

Kryeministri suedez Ulf Kristersson ka thënë se ishte “shumë i befasuar” kur e ka parë të dërguarin e Moskës të ftuar në çmime dhe se ai nuk do ta kishte marrë të njëjtin vendim. Përfaqësuesit e partive kryesore politike të Suedisë njoftuan se do ta bojkotojnë këtë ngjarje.

Kristersson e vlerësoi të shtunën vendimin për t’i anuluar ftesat për Rusinë dhe Bjellorusinë. “Reagimet e shumta dhe të forta tregojnë se e gjithë Suedia qëndron pa mëdyshje në anën e Ukrainës kundër luftës së tmerrshme të agresionit të Rusisë”, ka thënë zyra e kryeministrit në mediat sociale.

Oleg Nikolenko, zëdhënës i ministrisë së jashtme të Ukrainës, kishte paralajmëruar se vendimi fillestar do ta inkurajonte Rusinë dhe do ta forconte “ndjesinë e mosndëshkimit” të Kremlinit.

Bjellorusia ka deklaruar mbështetje për luftën e Rusisë ndaj Ukrainës, duke ofruar territorin e saj si pikënisje për sulme, ndërkohë që Irani e ka furnizuar Rusinë me dronë për ta rimbushur arsenalin e tij ushtarak të varfëruar.

Të premten, Ministria e Drejtësisë e Rusisë e shpalli laureatin e Çmimit Nobel për Paqen 2021, Dmitry Muratov, një “agjent të huaj” si pjesë e sulmit të saj të vazhdueshëm ndaj media së lirë dhe shoqërisë civile. Gazetari i shquar dhe ish-redaktori i gazetës së ndaluar liberale Novaya Gazeta ishte lavdëruar më parë nga Kremlini përpara fillimit të pushtimit të plotë të Ukrainës.

Dhjetra politikanë dhe eurodeputetë evropianë nënshkruan vitin e kaluar një letër të hapur duke i bërë thirrje Fondacionit Nobel ta konsideronte presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy për një çmim Nobel për Paqen në vazhdën e agresionit rus./Politico.eu

Përgatiti: Nuhi Shala