Isa Mustafa, kryetar i LDK-se

Mustafa: S’ka pazare me kufijtë e Kosovës, kush do le t’i korrigjojë mexhat e arave të veta

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, është deklaruar sërish për idenë  e presidentit Hashim Thaçi për “korrigjim të kufirit”.

Mustafa, përmes një publikimi në Facebook, ka shkruar se për LDK-në, kufijtë e Kosovës janë të paprekshëm.

“Është i ndaluar dialogu për kufijtë, për territorin, për pavarësinë e shpallur më 17 shkurt 2008! Hapja e dialogut për kufijtë, është vetagresion ndaj shtetit dhe territorit të Kosovës”, ka shkruar kreu opozitar.

Sipas Mustafës, nëse dikujt i ka mbetur të bëjë pazare me korrigjimin e kufijve, “ai mund të korrigjoj vetëm mexhat e arave të veta, jo kufijtë e Kosovës”.

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi pas vizitës në SHBA së fundi është deklaruar se mund të ketë “korrigjim të lehtë të kufirit”, si pjesë e marrëveshjes eventuale mes Kosovës dhe Serbisë në kuadër të dialogut.