Mustafa reagon ndaj mbajtjes në burg të ish-drejtuesve të UÇK-së e mbajtjes në arrest të Sali Berishës

Ish-kryeministri i vendit, Isa Mustafa, e ka quajtur turp faktin që, sipas tij, luftëtarët kryesorë të lirisë kaluan ndërrimin e moteve në burg.

Mustafa në një status në Facebook ka thënë se pak e meritojmë të gjithë lirinë që e gëzojmë.

“Vështirë është të krenohemi këndej e andej kufirit kur luftëtarët kryesor të lirisë dhe liderët që e përmbysën diktaturën komuniste e kalojnë ndërrimin e moteve në  burg dhe arrest në emër të popullit! Më mirë ta pranojmë se të gjithë ne jemi në arrest mendor e intelektual dhe se pak e meritojmë lirinë që e gëzojmë!”, – ka shkruar Mustafa në Facebook.

Ndonëse nuk ka përmendur emra, Mustafa duket se ka aluduar në mbajtjen në paraburgim në Hagë të ish-drejtuesve të UÇK-së Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi, të cilët në Gjykatën Speciale po gjykohen për krime të pretenduara lufte e krime kundër njerëzimit, si dhe në Sali Berishën, ish-kryeministër i Shqipërisë, për të cilin Gjykata ka vendosur të mbahet në arrest shtëpiak.