Si u rritën fitimet milionëshe të bankave gjatë qeverisjes së pesë kryeministrave?

Në Kosovë aktualisht operojnë gjithsej 12 banka komerciale, ku 9 prej tyre janë në pronësi të huaj, të cilat përgjatë dhjetë viteve të fundit kanë realizuar milionë euro profit apo neto fitim.

Ndonëse fitimi neto i bankave pati luhatje gjatë viteve, rezultati ishte vazhdimisht pozitiv për to.

Në periudhën 10 vjecare, nga viti 2013, neto fitimi më i lartë i evidentuar ishte në vitin 2022, me 140.3 milionë euro ndërsa neto fitimi më i ulët ishte në vitin 2013, me 26 milionë euro, me një mesatare prej 85.4 milionë euro çdo vit brenda këtyre 10 viteve.

Aty ku fitimi ishte më i madh, ishte si rezultat i rritjes së të hyrave dhe rënies së konsiderueshme të shpenzimeve ndërsa e kundërta ishte në rastet kur fitimi ishte më i ulët. Pra, profiti apo neto fitimi, paraqet raportin në mes të hyrave dhe shpenzimeve.

Ndryshe, bankat komerciale mbikëqyren nga institucioni kryesor bankar në vend, Banka Qendrore e Kosovës [BQK]. Ky institucioni nga viti 2013 e këndej pati 3 guvernatorë, ndërsa Kosova pati 5 qeveri e kryeministra.

Sipas të dhënave, bankat kanë gjithsej 200 njësi në tërë vendin dhe numërojnë mbi 3,780 të punësuar.

Mbi 140 milionë euro fitim i bankave në 2022

Në vitin 2022 bankat fituan 140.3 milionë euro apo mbi 20 milionë euro më shumë se në vitin 2021.

Të dhënat e Bankës Qendrore të Kosovës [BQK], tregojnë se bankat komerciale në vend regjistruan të hyra rreth 370.4 milionë euro në vitin 2022, në të cilat mbi 71% e tyre ishin të hyra nga interesi, ndërsa si shpenzime bankat komerciale regjistruan 230 milionë euro, ku ndikim më të madh patën shpenzimet e përgjithshme administrative, ndërsa në masë më të ulët shpenzimet për tarifa e komisione dhe shpenzimeve për provizionet e ndara për humbje të mundshme nga kreditë.

Si rezultat i kësaj, bankat komerciale në 2022, realizuan të hyra neto apo profit në vlerë 140.3 milionë euro.

Për krahasim, në vitin 2021 fitimi i bankave komerciale ishte 117.5 milionë euro.

Norma mesatare e kredive në vitin 2022 ishte 6.3%, ndërsa norma mesatare për depozita ishte 2.4%, që paraqet një raport 3.9% kredi-depozita.

Si performuan bankat përgjatë 10 viteve të fundit?

Në dhjetëvjeçarin e fundit, bankat komerciale në Kosovë kanë shënuar në vazhdimësi rezultat pozitiv dhe me një trend të luhatshëm të fitimit në tendencë të rritjes, në përjashtim të vitit të 2013, 2016 dhe vitit 2020 kur edhe Kosova u përball me pandeminë e virusit COVID-19.

Gjatë këtyre viteve, Kosova pati 5 Qeveri e Kryeministra, ndërsa institucioni kryesor financiar në vend, Banka Qendrore e Kosovës [BQK] pati 3 guvernatorë.

Në vitin 2013, në kohën e qeverisjes së vendit nga ish-kryeministri Hashim Thaçi, ndërsa guvernator i BQK-së ishte Bedri Hamza, bankat komerciale në vend realizuan neto fitim në vlerë 26 milionë euro.

Profiti i bankave komerciale u rritë për më shumë se dyfish, me gjithsej 60.1 milionë euro në vitin 2014, me po ashtu kryeministër Hashim Thaçin.

Në muajin dhjetor të 2014-ës, Isa Mustafa nga subjekti politik Lidhja Demokratike e Kosovës [LDK] e mori detyrën e kryeministrit të Kosovës.

Gjatë viteve 2015 dhe 2016, gjatë qeverisjes së vendit nga ish-kryeministri Mustafa profiti neto i bankave komerciale pati një luhatje më të madhe. Në 2015-ën realizuan një fitim në vlerë 94.7 milionë euro, i cili asokohe vlerësohej si më i larti që nga fillimi i funksionimit të sektorit bankar.

Rritja e profitit të bankave atë vit ishte rezultat i zvogëlimit të theksuar të shpenzimeve. Ndërsa në vitin 2016, ndodhi e kundërta, për çka sa profiti i realizuar ishte 75.5 milionë euro.

Profiti i bankave komerciale në Kosovë në periudhën 2013-2022 | Grafika: Diar Vuçetaj/Kallxo.com

Në vitet 2017-2018, profiti i këtyre bankave ishte 85.4 milionë euro dhe 88 milionë euro.

Në 2017, rritjes së të hyrave nga jointeresi në formë të tarifave dhe komisioneve dhe të hyrave tjera operative, mirëpo ajo çka evidentohet në rritjen e neto fitimit në vitin 2018 i atribuohet rritjes së të hyrave nga interesi, të cilat u karakterizuan me rritje për herë të parë që nga viti 2013.

Në anën tjetër, në institucionin kryesor i cili mbikëqyr sektorin financiar në Kosovë,  BQK, pati lëvizje. Guvernator i saj ishte zgjedhur Fehmi Mehmeti.

Lëvizja pati edhe rrafshin politikë në Kosovë, në shtatorin e viti 2017, drejtimin e Qeverisë e mori Ramush Haradinaj nga parti Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës [AAK].

Në vitet 2019-2020, sektori bankar në Kosovë ndonëse pati rezultat pozitiv, mirëpo neto fitimi ishte me rënie, 86.2 milonë euro, respektivisht 79.9 milionë euro në vitin 2020.

Kjo performancë i atribuohet rritjes më të lartë të shpenzimeve krahasuar me rritjen më të ngadalshme të hyrave, gjithashtu rënies së neto fitimit në 2020 ishte si rezultat i rritjes më të lartë të shpenzimeve krahasuar me rritjen më të ngadalshme të hyrave.

Në krye të BQK-së, gjatë këtyre dy viteve ishte ende guvernator Fehmi Mehmeti.

Në anën tjetër, shumë lëvizje pati me ekzekutivin e vendit. Në muajin shkurt të vitit 2020, detyrën e kryeministrit të Kosovës, e mori Albin Kurti nga partia Lëvizja Vetëvendosje.

Albin Kurti këtë pozitë e mbajt deri në muajin qershor, kur Avdullah Hoti nga Lidhja Demokratike e Kosovës ishte zgjedhur kryeministër.

Albin Kurti rimerr sërish postin e kryeministrit të Kosovës, pas zgjedhjeve të viti 2021 i cili është ende Kryeministër i Republikës. Postin e kryeministrit ia dorëzoi paraardhësi i tij Avdullah Hoti.

Një vit më vonë  nga ndërrimi i qeverive në Kosovë, guvernator i BQK-së në vitin 2022 u zgjodh Bashkim Nurboja.

Gjatë këtyre dy viteve 2021 dhe 2022, pati rritja të konsiderueshme të neto fitimit të kërtij sektori kryesisht si rezultat i rritjes së përshpejtuar të hyrave respektivisht më e lartë e krahasuar me rritjen e ngadalësuar të shpenzimeve.