Mungon Prokurori, shtyhet seanca për krim të organizuar

Seanca gjyqësore për krim të organizuar e paraparë të mbahet sot, është shtyer për shkak të mungesës së Prokurorit Special Haki Geci.

Kryetarja e trupit gjykues, Naime Krasniqi, në mungesë të kushteve për mbajtjen e shqyrtimit gjyqësor mori aktvendim me të cilin e shtyu seancën.

Prokuroria Speciale, akuzon Gafurr Kullën për shkak se me dashje dhe me dijeni ka marrë pjesë në veprimtarinë kriminale të grupit të organizuar në të cilin kanë qenë të përfshirë edhe shtetas nga Shqipëria, Maqedonia, Turqia dhe Serbia, të cilët me dashje dhe me qëllim që vetit t`i sjellin përfitim pasuror janë marrë me blerjen, transportimin dhe shitjen e pa autorizuar të narkotikeve të llojit Heroinë, që të njëjtën ta sjellin nga Turqi apo përmes bullgarisë, Maqedonisë, Kosovës dhe Shqipërisë, me qëllim që ta dërgojnë në shtetet e Evropës.

Po ashtu Prokuroria akuzon Lubisha Ogareviqin se duke qenë në dijeni se personat Arif Çiço, Abubekir Tuncdemir, Blerim Ukimeraj, Gafurr Kulla, Milisav Peroviq, Jurgen Molla, Orges Miftaraj si grup i akuzuar kriminal janë duke u marrë me blerjen, transportin, shitjen e paautorizuar të narkotikeve të llojit heroinë e cila sillej nga Turqia me qëllim që të dërgohej në vendet evropiane dhe nuk e ka lajmëruar një fakt të tillë dhe nuk i ka lajmëruar kryerësit e kësaj vepre penale edhe pse zbulimi në kohë i këtij grupi varej nga ky lajmërim. Me këtë ka kryer veprën penale moslajmërimi i veprave penale.