MTI: Prindërit t’i largojnë nga shtëpitë këto lodra që janë të rrezikshme për shëndetin e fëmijëve!

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka kërkuar nga prindërit kosovarë që t’i largojnë nga ambientet familjare lodrat e rrezikshme për shëndetin e fëmijëve.

“Duke pasur parasysh që këto lodra të lartcekura kanë qenë në përdorim për një kohë të gjatë në përdorim në Republikën e Kosovës dhe mund të gjenden edhe në shtëpitë tona, për këtë MTI njofton të gjithë qytetarët se këto lodra që shihen bashkangjitur në foto janë të rrezikshme në bazë të analizave që i kemi bërë në laboratorin SGS në Holandë dhe kërkojmë nga qytetarët që sa më shpejt t’i largojnë nga shtëpitë e tyre dhe t’i asgjësojnë”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë thotë se është duke punuar vazhdimisht që produktet në treg të jenë cilësore dhe në harmoni me legjislacionin europian.

“Në vazhdën e kontrollit të produkteve që shiten apo tregtohen në tregun e Kosovës, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, muaj me parë ka marrë mostra të lodrave dhe i ka dërguar për analiza në Holandë”, vijon njoftimi.

MTI thekson se kanë bërë takime të vazhdueshme dhe kanë dërguar informacione tek inspektoratet komunale që edhe në fshatrat më të thella të bëhet një inspektim i tillë dhe nëse gjendet lodra të tilla të largohen nga tregu.

Inspektorati i Tregut i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë (MTI) për KALLXO.com ditë më parë kishte thënë se  nuk do t’i ndëshkojë me masa ligjore kompanitë të cilat në tregun vendor kanë futur mijëra lodra të cilat pas analizave kanë rezoltuar se janë të rrezikshme për shëndetin e fëmijëve.

Fotografitë e mëposhtme tregojnë lodrat të cilat sipas Ministrisë janë të rrezikshme për fëmijët.