RTK, Prishtine. 21 maj 2015. Photo: Atdhe Mulla.

Mospajtimet mes deputetëve shtyjnë shqyrtimin e Projektligjit për RTK-në

Komisioni për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media i Kuvendit të Kosovës ka shtyrë mbledhjen e sotme për shkak të mospajtimeve ndërmjet deputetëve të pozitës dhe opozitës.

Anëtari i Komisionit, nga radhët e AAK-së, Rasim Selmanaj, ka lëshuar mbledhjen e komisionit dhe menjëherë pas tij njësoj kanë vepruar edhe deputetët e LDK-së Imet Rrahmani dhe Arban Abrashi me arsyetimin se kur nuk janë pozita nuk do të qëndrojnë as ata.

Në mbledhje anëtarët diskutuan për dërgimin ose jo në Kuvend të Projektligjit për Transmetuesin Publik të Kosovës.

Kryetari i Komisionit, Nait Hasani, dhe anëtarja Xhevahire Izmaku, që të dy nga PDK, kërkuan nga deputetët që të votojnë dërgimin e projektligjit në Kuvend, me vërejtjet e Qeverisë, në mënyrë që në seancë plenare deputetët të japin mendimin e tyre.

Lidhur me këtë propozim nuk u pajtuan deputetët e LDK-së dhe VV-së të cilët kërkuan që komisioni t’i diskutojë dhe shtjellojë vërejtjet që ka marrë projektligji në fjalë.

Nga mbledhja e sotme e Komisionit Parlamentar për Media. Foto: Kallxo.com

Anëtari i këtij Komisioni, Imet Rrahmani, e cilësoi hap të ngutshëm dërgimin në Kuvend të këtij projektligji.

“Për vërejtjet që i janë bërë dhe propozimit të Qeverisë, ne duhet si Komision t’i japim përgjigje çdonjërës, qoftë t’i refuzojmë apo t’i aprovojmë si të mirëseardhura. Pa i diskutuar dhe harmonizuar këto, është hap i ngutshëm”, tha ai.

Ndërkaq, anëtari Adem Mikullovci (VV) tha se shtjellim i veçantë duhet të bëhet për shtimin e kanaleve për diasporën dhe për Kuvendin në kuadër të transmetimeve në RTK.

Nga mbledhja e sotme e Komisionit Parlamentar për Media. Foto: Kallxo.com

“Duhen redaksi të posaçme për kanalin e  Kuvendit dhe të diasporës. Kosto të madhe ka për këto kanale. Pa krijuar redaksi për këto kanale nuk bën”, shtoi Mikullovci.

Ndërkohë shumica e anëtarëve të Komisionit nuk u pajtuan që në kanalin e veçantë për diasporën, redaksia e tij të funksionojë jashtë Kosovës. Deputetet gjithashtu kritikuan numrin e madh të anëtarëve që ka bordi menaxhues i RTK-së.

Mbledhja e Komisionit është shtyrë për të mërkurën e kësaj jave.

Nga mbledhja e sotme e Komisionit Parlamentar për Media. Foto: Kallxo.com