Misioni i OSBE-së: Përpjekjet për shmangien e konfliktit nuk patën sukses

Misioni i OSBE-së në Kosovë ka kujtuar 20 vjetorin e fillimit të sulmeve të NATO-s kundër forcave serbe.

Në deklaratën e tyre thuhet se përpjekjet e OSBE-së për shmangien e konfliktit në Kosovë nuk patën sukses për shkak të humbjes së shumë njerëzve nga të gjitha komunitetet.

“Në 20 vjetorin e ndërhyrjes së NATO-s, ne kujtojmë përpjekjet e OSBE-së për shmangien e eskalimit dhe parandalimin e konflikteve në Kosovë. Kjo, në fund të fundit, nuk pati sukses dhe kështu sot ne kujtojmë kostot njerëzore të konfliktit të pësuar nga të gjitha komunitetet”, thuhet në njoftimin e Misionit të OSBE-së në Kosovë.

Sipas këtij njoftimi, parandalimi i konflikteve, zhvillimi demokratik, kthimi i qëndrueshëm i të zhvendosurve dhe respektimi i të drejtave njerëzore dhe civile të të gjithë individëve dhe komuniteteve vazhdon të jetë angazhimi i përbashkët i të gjitha shteteve pjesëmarrëse të OSBE-së dhe siguron bazën për mandatin e Misionit të OSBE-së në Kosovë.

“Në këtë ditë ne gjithashtu kujtojmë të gjitha viktimat e viteve të konfliktit në Kosovë dhe bashkëndiejmë me anëtarët e familjeve të tyre dhe me dhimbjen e tyre”, përfundon njoftimi i tyre.

Sulmet ajrore të NATO-s mbi caqet serbe kanë filluar më 24 mars 1999, në orën 19:45, kur aeroplanët e NATO-s lëshuan raketat e para kundër pozicioneve strategjike të ushtrisë së ish-Jugosllavisë, siç quheshin dy republikat e ish federatës jugosllave, Serbia dhe Mali i Zi.

Urdhrin për fillimin e fushatës bombarduese e kishte dhënë presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton.

Ai atë natë mbajti para popullit amerikan fjalimin historik, duke lajmëruar se i kishte urdhëruar Aleancën Atlantike të fillonte operacionin ushtarak, si mundësi e vetme e përfundimit të luftimeve në Kosovë.

“Ne dhe Aleanca e NATO-s kemi bërë të gjitha përpjekjet, me qëllim që të arrinim një zgjidhje paqësore të konfliktit në Kosovë. Por presidenti Millosheviq, i cili në të kaluarën e afërt shkaktoi luftëra të tmerrshme në Kroaci e në Bosnjë, ka vendosur në favor të agresionit në vend se të paqes”, kishte thënë Presidenti Clinton.

Sulmet ajrore kundër forcave serbe e malazeze vazhduan deri më 9 qershor, kur u arrit Marrëveshja e Kumanovës, e cila ndryshe njihet edhe si kapitullimi i kriminelit Millosheviq dhe më 11 qershor forcat e armikut fillojnë ta lëshojnë territorin e Kosovës.

Kjo është ndërhyrja e parë ushtarake e NATO-s që nga formimi i saj, e cila njihet edhe si ndërhyrja historike.