Bombardimet e NATO-s në Beograd. Foto: Wikipedia.

Misioni amerikan në Organizatën për Siguri: Përdorimi i forcës ishte i nevojshëm dhe legjitim

Misioni amerikan në Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) ka kujtuar 25-vjetorin e i reagimit të NATO-s ndaj krizës humanitare në Kosovë.

Siç është njoftuar në një komunikat zyrtare, zëvendës-shefja e Misionit, Katherine Brucker në Këshillin e Përhershëm sot në Vjenë ka kujtuar atë që filloi më 24.03.1999.

“25 vjet më parë, NATO filloi Operacionin Forcat Aleate për t’i dhënë fund krizës së vazhdueshme humanitare në Kosovë. Pas shterimit të të gjitha rrugëve diplomatike për t’i dhënë fund fushatës brutale të spastrimit etnik të regjimit të Millosheviçit, veprimi ushtarak ishte opsioni i fundit” – theksohet në këtë njoftim.

Në komunikatë u tha se përdorimi i forcës nga NATO ishte i nevojshëm dhe legjitim dhe se Këshilli i Sigurimit i OKB-së kishte shprehur shqetësime për situatën e rëndë humanitare në Kosovë, numrin në rritje të refugjatëve dhe kërcënimin që paraqet për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare.

“Nuk do ta harrojmë kurrë atë që ndodhi një çerek shekulli më parë. Ne kujtojmë mijëra njerëz të pafajshëm që u vranë ose që mbetën të zhdukur, dhe qindra mijëra të dëbuar nga shtëpitë e tyre për shkak të dhunës së regjimit etno-nacionalist të Millosheviçit dhe forcave të tij” – shtohet tutje në komunikat.

Po ashtu në këtë njoftim u theksua se duke e njohur këtë të kaluar të errët dhe të vendosur për të siguruar që ajo të mos përsëritet, Shtetet e Bashkuara janë të fokusuara në të ardhmen e Ballkanit Perëndimor dhe integrimin evropian të rajonit.

“Ne u bëjmë thirrje të gjithë partnerëve në rajon që të përqendrohen në përfundimin e detyrës për ndërtimin e një Ballkani Perëndimor të qëndrueshëm, të begatë, multietnik dhe të sigurt. Shtetet e Bashkuara festojnë përparimin tuaj drejt anëtarësimit në BE. Ne do të vazhdojmë të bashkëpunojmë me ju për të forcuar qeverisjen demokratike dhe respektimin e të drejtave të njeriut, zbatimin e reformës zgjedhore, avancimin e lirisë së medias, përmirësimin e integrimit ekonomik dhe ruajtjen e bashkëpunimit dhe respektit multietnik” – theksohet në kujtimin e misionit amerikan në OSBE.

Gjithashtu u shtua se një e ardhme më e ndritur për Ballkanin Perëndimor kërkon normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, duke përfshirë njohjen eventuale reciproke.

“Ne e mbështesim plotësisht Dialogun e lehtësuar nga BE-ja, i cili është rruga e vetme drejt së ardhmes që e meritojnë të gjithë kosovarët dhe serbët.  Si gjithmonë, falënderojmë misionet e OSBE-së në Kosovë dhe Serbi për punën e tyre aktive për të ndihmuar të dyja vendet të realizojnë synimet e tyre për integrim më të madh evropian, përfshirë anëtarësimin në BE” – vazhdohet tutje.

Gjithashtu u theksua se ky mision i nxit të gjitha palët të nderojnë kujtimin e atyre që humbën duke punuar së bashku për të ndërtuar një të ardhme paqësore dhe të begatë në Ballkanin Perëndimor.