24 marsi ‘i lirisë’ në mes të luftës

Një fije e hollë kishte dalluar krismat e lirisë nga krismat e luftës më 24 mars 1999. Rrëfimet drithëruese të asaj dite nga një 17-vjeçare dhe një të burgosuri, shpërfaqin euforinë që kishin përjetuar në mes luftës dhe paqes.

Një banesë e vogël në Lipjan ka qenë strehë e mbi 15 anëtarëve të familjes Statovci kur nisën bombardimet për çlirimin e Kosovës më 24 mars 1999.

Krismat e bombardimeve që sollën lirinë, atëkohë 17-vjeçarja Arjeta Statovci nuk kishte arritur t’i dallojë nga krismat e pushkëve të luftës që vrisnin bashkëqytetarët e saj.

Sa herë vjen kjo ditë, Arjeta e kujton frikën e luftës dhe ‘mikpritjen’ e lirisë që e kishte përjetuar brenda katër mureve, përderisa aeroplanët endeshin nëpër qiell.

Atë ditë, mëe 24 mars 1999, babai i saj kishte shkuar në fshat për të marrë gjyshen dhe dy fëmijët e xhaxhait për t’i strehuar në banesën e tyre – nga frika që me fillimin e bombardimeve forcat serbe do të hakmerreshin ndaj popullatës që jetonte nëpër fshatra.

Lipjani është një ndër qytetet që ka pasur dhe ka ende shumë fshatra të populluar me serbë.

41-vjeçarja kur e kujton këtë ditë, thotë që babai i saj kishte menduar që të paktën të shpëtojë dy fëmijë prej familjes, sepse në atë kohë të marrësh vendime për të qëndruar në fshat apo qytet ka qenë shumë e vështirë.

Po atë natë të fillimit të bombardimeve, banorët kishin filluar të braktisin qytetin.

24 vite më pas ajo ende i mban mend krismat e asaj nate – krisma që ishin përzier me të shtëna prej forcave serbe.

“Më kujtohet që i kemi parë aeroplanët e parë kur kanë hyrë, meqë Lipjani është afër aeroportit. Ka qenë një ndjenjë shumë e veçantë, një farë triumfi që e kemi ndjerë për brenda, që kemi menduar se një ditë do ta fitojmë lirinë” – tregon 41-vjeçarja.

Në fillim të pranverës, NATO nisi sulmet ajrore kundrejt forcave serbe për të parandaluar krimet serbe gjatë luftës në Kosovë. Këto sulme zgjatën 78 ditë dhe përfunduan me dëbimin e forcave serbe nga Kosova.

“Në qytet unë nuk kam pa asnjëherë bombardime, vetëm kam dëgjuar të shtëna, dhe kam parë lokale teksa digjeshin afër ndërtesës sime nga serbët” – rrëfeu Statovci- Tasholli.

Banesës së vogël atë natë i ishin shtuar edhe banorë të rinj të cilët i kishte sjellë frika: burri me gruan dhe me tri vajzat e tij dhe daja i babait të saj me dy djemtë.

Edhe pse e re në moshë, Statovci e kujton kohën kur qyteti kishte filluar të zbrazet dhe në të njëjtën kohë kishin filluar ofensivat e paramilitarëve serbë, sa që edhe pse nuk e mban mend kush e kishte shpërndarë lajmin, e kujton kur njerëzit kishin nisur të deportoheshin për në Shqipëri e  Maqedoni.

“Babai im ka pasë thënë se kjo është shtëpia jonë dhe ne do të qëndrojmë në shtëpinë tonë derisa nuk vjen ndokush të na thotë që duhet ta lëshojmë shtëpinë. Kemi qenë të vetmit që kemi qëndruar në Lipjan, dhjetë ditë mbas fillimit të bombardimeve nga NATO. Nuk e di nëse ka qëndruar edhe ndokush tjetër, përpos një fqinj poshtë e kemi pasë” – tregon ajo.

Frika e madhe i kishte kapluar kur bodrumi poshtë banesës së tyre ishte përgatitur nga serbët që të strehohen forcat serbe ose edhe banorët serbë.

“Më kujtohet që kanë ardhur një natë shumë vonë, dy ushtarë të veshur dhe me maska. Kanë trokitur në derë, kemi hapur derën, dritat kanë qenë të fikura, vetëm një qiri ndezur në dhomë dhe babait tim ia kanë afruar armën në kokë dhe i kanë thënë duhesh të largohesh prej këtu” – shpalosi Arjeta me emocion këtë ngjarje të hidhur të jetës së saj.

Arjeta ishte vetëm 17-vjeçe, motra e saj 20-vjeçe dhe vëllai 18-vjeç. Frikën më të madhe familja Statovci, tregon Arjeta, e kishin ndier për vëllanë e tyre pasi që “zakonisht i merrnin dhe i pushkatonin në atë kohë, vetëm dëgjonim nëpër lajme se çka po ndodhë në tërë Kosovën”.

Shpresën e fundit që do të shpëtonin të gjallë e kishte mbajtur atëherë kur kishin marrë rrugën për në fshatin Dobrajë të Madhe që të bashkohen me gjyshen dhe banorët e tjerë.

Një telefon me të cilin kishin mbajtur kontakt më dikë në periferi të Lipjanit, aq sa i ndihmonte, aq edhe i frikësonte kur merrnin informata që serbët po vrasin njerëz në pjesë tjera të Kosovës.

“S’ka qenë ndjenjë e mirë, jemi frikësuar vazhdimisht se mos po na vrasin apo po na pushkatojnë forcat serbe. Që kur kanë ndodhë bombardimet, armiku ka pasur një rrezik që kur forcat e NATO-s të bombardojnë këtej, ata kanë vrarë civilë shqiptarë për t’u hakmarrë” – tregoi ajo, duke thënë që sa herë vjen kjo ditë nuk përjeton ndjesi të mira.

Për të, lufta përfshirë muajt deri te 12 qershori 1999 kanë lënë gjurmë flake, terri, pushkatimi, bombardimi, djegie shtëpish, tym e masakra.

Për 78 ditë, NATO bombardoi të parandalojë sulmet e përgjakshme ndaj civilëve në Kosovë.

Në terren, forcat serbe kishin kryer sulme hakmarrëse kundër shqiptarëve, të cilat kanë rezultuar me mbi 10,000 njerëz të vrarë, mbi 800,000 të përndjekur dhe mijëra të zhdukur.

Më 10 qershor të vitit 1999, NATO ka nënshkruar marrëveshje me ushtrinë serbe për tërheqjen e saj të plotë nga Kosova. Dy ditë më vonë, trupat paqeruajtëse të KFOR-it kanë hyrë në Kosovë, duke i dhënë fund luftës dhe sundimit të Beogradit.

24 marsi prapa grilave

Kjo periudhë nuk ka qenë e lehtë për Arben Bobanin nga Gjakova, i cili 24 marsin e kishte pritur prapa grilave.

Atëkohë, 20-vjeçari ishte i plagosur dhe zënë rob nga forcat serbe në Burgun e Dubravës.

Bobani ishte pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Si një i ri në atë kohë, ai ishte i angazhuar për të bërë furnizimin me armatim nga Shqipëria te disa prej fronteve në Rrafsh të Dukagjinit.

Arbeni me vështirësi kishte arritur ta kuptojë se çfarë është duke ndodhur me luftën në Kosovë. Në fillim ai nuk e kishte kuptuar që NATO kishte intervenuar për të sjellë lirinë në Kosovë.

“E mbajë mend kur filluan të digjeshin shtëpitë përreth burgut të Dubravës dhe se faktikisht në dhomën ku isha me 5 të burgosur të tjerë, nuk e dinim saktësisht se çfarë ishte duke ndodhur.” – tregon Bobani.

Gjatë mesnatës, ai me shokët e dhomës së burgut flisnin nga dritaret me të burgosurit e tjerë dhe se disa nga ata kishin arritur ta kuptojnë se çka po ndodhte, dhe më pas filluan të uronin njëri-tjetrin për fundin e Serbisë në Kosovë.

Ditët para bombardimeve, Bobani i përjetoi me një emocion të përzier, ku ndihej i rrezikuar nga forcat serbe, kurse pas intervenimit të NATO-s i ishte ngjallur shpresa dhe gëzimi që Kosova kishte gjetur përkrahjen ndërkombëtare.

Për Bobanin ndjenja për liri ishte e papërshkrueshme.

Gjatë mbajtjes në Burgun e Dubravës, ai përjetoi edhe masakrën e kryer aty nga forcat serbe.

“Përjetimi është i papërshkrueshëm, ishte me shumë adrenalinë, por isha edhe pak i zhgënjyer sepse nuk kisha forcë të kontribuoj edhe pak, pasi i kisha duart e lidhura dhe isha duke përjetuar një ndër masakrat më të mëdha në Kosovë, ku mbetën të vrarë rreth 180 veta para syve tanë.”

Tani, 45-vjeҫar, ai kujton se 24 marsi ka shumë rëndësi për luftëtarët, sepse në të njëjtën datë të vitit 1998 filloi beteja në Gllogjan dhe rreshtimi pranë UҪK-së, e një vit më vonë bombardimet e NATO.