Bartja e kompetencave | Foto: Facebook

Ministria e Shëndetësisë Bart Kompetenca te Odat Profesionale

Ministri i Shëndetësisë Imet Rrahmani u ka dorëzuar sot kryetarëve të katër odave të profesionistëve shëndetësorë vendimin për bartjen e këtyre kompetencave.

Ky vendim iu dorëzua Odës së Stomatologëve, Odës së Farmacistëve, Odës së Infermierëve dhe Odës së Fizioterapeutëve .

Ministri i Shëndetësisë Imet Rrahmani tha se këto kompetenca që po barten sot, Odat do t’i ushtrojnë prej 1 korrikut.

Por sipas Rrahmanit deri në dhjetor procesi i licencimit dhe rilicencimit të punonjësve shëndetësorë do të bëhet në bashkëpunim të ministrisë dhe odave.

“Deri në fund të dhjetorit procesi i licencimit dhe ri-licencimit do të bëhet së bashku nga ministria dhe odat dhe çdo licencë e re që do të lëshohet do ta ketë nënshkrimin e ministrit, por edhe të kryetarit të odës deri në fund të dhjetorit,” tha Rrahmani.

Sipas Rrahmanit, Ministria e Shëndetësisë do ta mbikëqyrë punën e odave në periudhën e ardhshme trevjeçare, ndërsa do të punohet që gradualisht atyre t’u barten edhe përgjegjësi tjera.

Në emër të kryetarëve të odave, drejtuesi i Odës së Stomatologëve të Kosovës Kujtim Shala tha se procesi i themelimit të odave dhe bartjes së kompetencave është mjaft kompleks dhe sfidues.

Sipas tij ky proces shoqërohet edhe me fërkime objektive të pritshme, porse arritja në këtë fazë është një sukses i përbashkët që duhet të vazhdohet me angazhime të të gjithëve.

“Kemi pasur mjaft sfida edhe ne si oda edhe ministria, por besojmë se jemi duke shkuar në rrugën e duhur,” tha Shala.

Kompetencat nga ministria nuk iu dorëzuan sot Odës së Mjekëve, pasi kjo odë nuk ka miratuar disa nga rregulloret dhe dokumentet e nevojshme që mundësojnë këtë bartje.

Kryetarja e Odës së Mjekëve Zylfije Hundozi tha se mosmiratimi i këtyre akteve nga ana e kësaj ode ka ndodhur më shumë për shkaqe teknike.

Oda e Mjekëve do ta mbajë nesër kuvendin e saj dhe nëse arrin të miratojë aktet e munguara kompetencat kësaj ode do t’i barten javën tjetër.