Ministri Tenton t’a ‘Shesë’ Marrëveshjen e Refuzuar, pa Asnjë Ndryshim

Marrëveshja me bankën e Austrisë marrjen e një kredie për modernizimin shërbimeve të kardiologjisë invazive ka qenë temë diskutimi në komisionin parlamentar për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale.

Qeveria e Kosovës ka riproceduar në Kuvendin e Kosovës mundësinë e ratifikimit të kësaj marrëveshje dhe procedimit tutje të blerjes së aparaturës për modernizimin e këtyre shërbimeve.

Ministri Rrahmani tha se Kardiokirurgjia po funksionon si klinikë e veçantë që nga tetori i vitit të kaluar dhe tanimë aty po bëhen intervenime që i kanë kaluar të gjitha parashikimet.

Sipas tij, atje janë bërë më shumë se 100 operacione që nga periudha e tetorit të vitit 2015.

“Në Kardiologjinë invazive kemi të bëjmë me një situatë pak më ndryshe përkundër numrit të madh të intervenimeve që bëhen në raste emergjente dhe jo emergjente aparatura e cila është aktualisht në shfrytëzim është shumë e vjetër dhe cdo ditë punëtorët shëndetësor kanë probleme në dhënien e shërbimeve cilësore në lëminë e kardiologjisë invazive”, tha Rrahmani.

Sipas Rrahmanit është një aparaturë e vjetër dhe me kapacitetet e saj nuk i përmbush nevojat e pacientëve.

“Për këtë arsye ne jemi të detyruar që numrit të madh të pacientëve t’i trajtojmë jashtë institucioneve tona publike respektivisht në institucione private dhe kjo buxhetit tonë po i kushton mjaft shumë kur dihet shumë që stentimet dhe bypass-et sjellen nga 5 mijë euro e ndoshta më shumë”, tha Rrahmani.

Rrahmani tha që marrëveshja për kredi në bankën Austriake ka ardhur pa asnjë ndryshim nga hera e parë dhe i ftoi të gjithë anëtarëte komisionit të japin votat për të proceduar më tutje në blerjen e aparaturës.

Kryetarja e Komisionit Flora Brovina tha se marrëveshja herën e parë është refuzuar “për shkak të çmimit jo konkurrent e të fryrë”.

“Nuk kishte mjaft sqarime që deputetët të binden se ata duhet ta votojnë”, tha Brovina.

Ministri Rrahmani tha se nuk ka pasur nevojë të ndryshohet asgjë në marrëveshje sepse sipas tij janë respektuar të gjitha procedurat që i parasheh marrëveshja mes Ministrisë së Financave të Kosovës dhe Austrisë kur është lidh në vitin 2012 për 20 milion euro kredi të butë.

Ai tha se është paraprarë edhe një pjesë shtesë, dhe në vend se një ditë të trajnohet stafi të bëhen më shumë ditë dhe atë jashtë vendit.

“Pjesa shtesë ka paraparë trajnim shtesë për dy javë në klinikat e austrisë në vlerë prej 500 mijë euro, mirëmbajtjen shtesë edhe për 1 vit, në raport me kontratën që është parapraë 2.1 milion, ka paraparë krijimin e kushteve të përshtatshme për instalim të aparaturës,rregullimin e ambienteve izolimin meremetimin dhe vendosjen” tha Rrahmani.

Deputeti Shaip Muja kundërshtoi Ministrin Rrahmani duke thënë se përmes internetit tanimë dihet sa kushtojnë të gjitha aparaturat.

“Neve na kanë ardh disa përkshkrime nga tri kompani prestigjioze për këto aparatura kur e kemi kthy herën e kaluar dhe vlera varion nga 1 milion e 100 mije deri në 1 milion e 210 mije euro pa këtë pjesë që ke me akomodu një ambient ku ti ke me rregullu që mund të kushtojë 100 mije euro, këtu po flitet për me ia huq për 1 milion e 300 mijë euro”, tha Muja.

Sipas tij, duhet të bëhet një auditim ekonomik të vlerës së çmimit teknik të aparaturës.

Sipas Mujës të gjithë janë për të blerë aparaturat por menaxhimi i keq është diqka që po i ndalon ata të bëhen pro këtyre veprimeve.

Kjo marrëveshje nuk është ratifikuar herën e parë në Kuvendin e Kosovës dhe tanimë është vënë në riprocedim.

Muja u përkrah edhe nga deputeti tjetër Bekim Haxhiu . Në këtë mbledhje u fol edhe për problemin e specialistëe të mjekësisë të cilët kanë bërë protesta të vazhdueshme duke kërkuar punë.

KALLXO.com ka raportuar sot se është bërë një zgjidhje e përkohshme për këta mjekë.

http://kallxo.com/zgjidhje-e-perkohshme-per-specialistet-e-papune/