Haxhiu: Projektligji për çmimin e produkteve medicinale, më i dobët nga qeveria se ai që e ka propozuar PDK-ja

Deputeti i PDK-së Bekim Haxhiu tha se Projektligji për çmimin e produkteve medicinale është më i dobët se ai qe kishte propozuar PDK një vit më parë.

Haxhiu tha se projektligji që ishte propozuar nga PDK atë kohë u refuzua nga Lëvizja Vetëvendosje në Kuvend.

Ai ka përmendur disa çështje për të cilat mendon që ligji i propozuar nga qeveria është me i dobët.

“Ka ardhur në shqyrtim një projektligj shumë më i dobët se ai që kemi propozuar ne një vit e gjysmë më parë dhe u refuzua nga shumica parlamentare. Ky do të duhej të kishte edhe listën e barnave. Ky ligj shihet se është i harmonizuar më shumë me lobuesit e kompanive jashtë Kosovës sesa me vendore”- tha ai.

Tutje, Haxhiu tha se largimi i nenit për prodhues vendor është bërë në interes të një kompanie.

Ky diskutim në mbledhje të Komisionit për Shëndetësi ka ngjallur debat mes deputetit Haxhiu dhe kryesueses së komisionit nga LVV, Fatmire Mulhaxha – Kollçaku e cila e ka mohuar këtë.

“Po hedh akuza në ajër. Normal unë e votoj të qeverisë time, nuk ta votoj ty. S’e keni pru për 20 vite, ti ke pas qeverisje për 20 vite nuk e keni rregullu”- tha ajo.

Ndërsa deputeti nga Lista Guxo, Haxhi Avdyli tha se me anë të këtij ligji nuk u bëhet favor prodhuesve vendor.

“Në sektorin farmaceutik ka elemente të mira të prodhuesve vendor. Me anë të këtij ligji nuk po ju bëjmë favor por disfavor. Dhe me këtë mund të ndodh që ta bëjmë mbylljen e një fabrike që ka diku rreth 20 milionë euro investim. Sepse kërkohet që çmimi të caktohet prej atij që e ka patentën dhe në të njëjtën kohë këta prodhues nuk do të kenë mundësi të jenë konkurrent me kompani qindra vjeçare”- tha ai.

Avdyli ka kërkuar që ky nen të plotësohet, në mënyrë që sipas tij, të mos votohet me këtë mangësi.