Komisioni për Shëndetësi mban mbledhjen me vonesë, miraton Projektligjin për çmimin e produkteve medicinale

Komisioni për Shëndetësi e ka miratuar Projektligjin për Çmimin e Produkteve Medicinale.

Edhe pse deputetët e pozitës nuk u paraqitën në mbledhjen e komisionit të caktuar në orën 10:00, ku do të diskutohej ky projektligj, ata u mblodhën më vonë dhe e miratuan të njëjtin.

“Raporti me amendamente për këtë projektligj, sipas procedurave u dërgohet për miratim komisioneve të përhershme të Kuvendit të Kosovës” – thuhet në njoftimin e Kuvendit.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, i cili ishte i vetmi që mori pjesë në këtë mbledhje tha se rreth 35-40 minuta më vonë se kur ishte paraparë të mbahej mbledhja, ai i ka parë rastësisht që janë mbledhur anëtarët dhe i është bashkuar mbledhjes.

“Erdhën ata të pozitës krejt, se ua kish pas ‘ngreh veshët partia’” – u shpreh Haxhiu.

Këtë fjali ai e tha duke iu referuar faktit, se në mbledhjen e parafundit të mbajtur të premten, ishte shtyrë votimi për këtë projektligj.

Kjo për shkak se disa prej anëtarëve, përfshirë edhe ata të pozitës kishin deklaruar se kanë çështje të cilat sipas tyre kanë nevojë për plotësim.

Deputeti i Listës Guxo, Haxhi Avdyli kishte thënë se Projektligji ka elemente të mira, por ka mangësi te neni për prodhuesit vendorë.

“Në sektorin farmaceutik ka elemente të mira të prodhuesve vendorë. Me anë të këtij ligji nuk po ju bëjmë favor, por disfavor”- kishte thënë Avdyli.

“Domethënë edhe pse para kësaj here, për prodhuesit vendor, u deklaruan ata Haxhi Avdyli edhe Burim Meta, tash heshtën, e kaluan atë, është eliminuar prodhuesi vendor prej projektligjit” – thotë Bekim Haxhiu.

KALLXO.com është munduar që të marrë një përgjigje nga Kryetarja e Komisionit, Fatmire Mulhaxha – Kollçaku lidhur me arsyet vonesës së mbledhjes dhe nëse i kanë informuar deputetët e opozitës se mbledhja do të mbahet më vonë. Deri në momentin e publikimit të këtij artikulli, Kollçaku – Mulhaxha nuk i është përgjigjur as telefonatave e as mesazheve të KALLXO.com.

Për deklaratat e Bekim Haxhiut, janë kontaktuar edhe deputetët Haxhi Avdyli dhe Burim Meta dhe janë pyetur nëse ato deklarata qëndrojnë, mirëpo as ata nuk kanë ofruar përgjigje deri në publikimin e këtij artikulli.