Formohet grupi punues për Projektligjin për shëndetin riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor

Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale në mbledhjen e sotme ka formuar grupin punues për amendamentimin e Projektligjit për shëndetin riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor.

Kryesues i këtij grupi është përcaktuar Burim Meta, kurse anëtarë deputetët Fatmire Kollçaku, Armend Zemaj, Bekim Haxhiu, Shemsedin Dreshaj dhe Mirsad Shkreta.

Deputeti Meta ka thënë se është marrë me këtë projektligj dhe se mund ta marrë kryesinë e grupit punues.

“Në diskutim me deputetin Zemaj, unë jam marrë shumë me këtë çështje, ka nevojë për plotësim ndryshim, nëse e shihni të nevojshme mundem me marrë kryesinë e këtij grupi”- tha Meta.

Ndërsa, deputeti Zemaj u ka bërë thirrje anëtarëve të komisionit që të mos nguten me përmirësimet e projektligjit dhe të zgjerohen me diskutime.

“Për kryesues nuk e kemi problem që me qenë Burimi. Ky ligj është debatu shumë, ka pas vërejtje përmbajtjesore. Të mos ngutemi dhe t’i bëjmë përmirësimet si komision. E kisha lutë Burimin ta hartojë një draft pune dhe aty të zgjerohemi me diskutime dhe me debat të jashtëm”-tha Zemaj.

Zemaj tha se duhet të jenë të kujdesshëm, në mënyrë që kur ligji të shkojë në Kuvend të ketë sa më pak vërejtje.

“Të heqim edhe dyshimet që pretendojnë që substanca e familjes të ruhet, që unë e përkrahi por duhet të kemi shëndetin e qytetarit prioritet”- shtoi ai.

Sipas deputetit Dreshaj projektligji për shëndetin riprodhues është i rëndësishëm por problematik dhe ka nevojë për përmirësime.

“Është ligj i rëndësishëm ka pas edhe të tjerë por sidoqoftë këtë qe e kemi më mirë edhe me hek një hall. Është ligj problematik, është ligj që ka nevojë për debat më të thellë dhe ka nevojë për përmirësime. Unë e pranoj me qenë anëtar”- vlerësoi Dreshaj.

Kurse deputeti Shkreta i ka ftuar deputetët që të diskutojnë thellësisht për këtë projektligj dhe “të mos bëjmë me gisht se cila palë e ka gabim”.

“Sa i përket kësaj pike jam i lumtur që Burimi e ka marrë kryesimin. Uroj që të lëvizim së bashku drejt një dakordance. I ftoj të gjithë të diskutojmë thellë duke mos bërë me gisht se cila palë e ka gabim, të diskutojmë se cila është më e mira për Kosovën” – u shpreh ai.

Ky ligj u miratua në parim nga Kuvendi i Kosovës më 4 tetor, pas rreth shtatë muajsh.

Projektligji i cili ka ngjallur debat mes ligjvënësve, ka marrë 58 vota pro, një kundër dhe katër abstenime.

Që nga muaji mars, kjo pikë e rendit të ditës nuk kishte kaluar për shkak të mungesës së kuorumit, pasi deputetët nuk merrnin pjesë në votim.