Drejtori i ri përmend sfidat me të cilat po përballet ShSKUK- ja

Elvir Azizi, i emëruar ditë më parë drejtor i Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës ka thënë se gjatë këtyre ditëve është njoftuar me infrastrukturën e këtij institucioni shëndetësor.

Ai ka përmendur disa prej sfidave me të cilat, sipas tij përballet ShSKUK-ja.

Sipas Azizit, vazhdon të mbetet sfidë furnizimi me barna.

“Sfida më e madhe është funksionimi mes SHSKUK-s dhe QKUK-së. Sfidë tjetër është furnizimi me barna, mungon dokumentacioni brendshëm, mungon rregullorja e punës etj. Infrastruktura është e vjetruar dhe jemi shumë vonë me digjitalizimin”- deklaroi Azizi.

Më mbledhjen e Komisionit për Shëndetësi, Azizi tha se është mision i tij që të inkuadrojë listën esenciale.

“Furnizimi është problematik. Të gjithë jemi të vetëdijshëm që ekziston ngecje në furnizim. Në këtë moment lista e te e barnave është aprovuar, por nuk ka arritur të pasqyrohet. Është mision të inkuadrojë listën e re esenciale”- tha ai.

Po ashtu, sipas tij, në ShSKUK nuk ka udhëzime se si stafi duhet të sillet në momente të caktuara.

“Nuk ka program të higjienës. Duhet mu adresu mungesa e stafit, veçanërisht stafit të mesëm”- shtoi ai tutje.

Ai ka përmendur edhe disa prej prioriteteve të tij në këtë detyrë.

“Misioni im rrjedh prej Kushtetutës që është ofrimi i një shërbimi shëndetësor cilësor dhe të sigurtë për pacientin. Prioriteti i parë i imi është të themelohet listë e shërbimeve shëndetësore”- tha ai.

Me 7 vota për, Bordi drejtues i Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës ka emëruar drejtor të ri të këtij institucioni, Elvir Azizin.

I pranishëm në ceremoninë e pranim-dorëzimit të detyrës ishte edhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.

KALLXO.com kishte raportuar për Elvir Azizin dhe për raportet e tij me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia.