Ministri: Rrezikimin e jetës së banorëve të Qirezit nga gurthyesi e kam kuptuar nga mediat

Ministri i MMPH dhe zyrtarët e Komisionit të pavarur për miniera e minerale kanë raportuar para Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis e Planifikim Hapësinor lidhur me hidrocentralet dhe gurthyesit.

Në komision ishte paraparë që të diskutohej edhe për hidrocentralet, por kjo u shty për takimin e radhës në mes të komisionit dhe Ministrisë së Mjedisit.

Kryetari i komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis e Planifikim Hapësinor, Muharrem Nitaj (AAK), tha se ky diskutim vjen pas ankesave të shumta të banorëve të fshatit Qirez për rrezikimin e jetës nga gurthyesi që gjendet aty.

Po ashtu, anëtarja e komisionit Ganimete Musliu (PDK) kërkoi nga ministri Matoshi raportim edhe për zjarret që po ndodhin ditëve të fundit në pjesë të ndryshme të Kosovës.

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, para komisionit tha se informacionin për rrezikimin e jetës së banorëve në fshatin Qirez e ka kuptuar nga mediat dhe se menjëherë ka filluar procedurat e inspektimit.

“Për gurthyesin në Qirez e kam kuptuar nga mediat dhe së bashku me deputeten Musliu i kemi vizituar banorët e atjeshëm, ne kemi parë tri aspekte që kanë të bëjnë me këta gurthyes njëra ka të bëjë me degradimin e ambientit, ujit dhe ajrit. Informacionet që i kemi nga terreni janë se në disa grupe të mbushura me ujë të krijuara nga gurthyesit kanë krijuar rrezik për qutetarët e sidomos fëmijët e gjithashtu edhe kafshët. Operatori në fshatin Qirez është përgatitur me leje mjedisore. Ne kemi kërkuar nga operatori t’i mbyllë ato dhe nga inspektimet kemi parë që ato gropa  janë duke u mbyllur. Ndërsa sa i përket djegieve dhe zjarreve ne kemi menduar që të fillojmë me gjoba mandatore dhe do të japin atë më të madhen në vlerën me të madhe prej 100 eurosh. E çështja e hidrocentraleve pres pyetje nga ju dhe do të përgjigjem”, raportoi Matoshi.

Liburn Aliu (VV), anëtar në komision, kërkoi nga ministri Matoshi informacione në lidhje me lejet mjedisore që i lëshon ministria dhe çështjen e eksploatimit të zhavorrit.

“Thatë që operatori është pajisur me leje mjedisore por a nuk është dashur që para fillimit të operimit të ketë këtë leje, gjithashtu edhe çështja e eksploatimit të zhavorrit nga operatorët e ndryshëm”,

Ministri Matoshi tha se kur ka filluar punën menjëherë ka filluar me procedurat e nevojshme në lidhje me pajisjen me leje mjedisore.

“Duhet të kenë leje mjedisore, por në kohën sa jam unë në këtë ministri kemi filluar me procedurat, por diçka tjetër që ju mundëson është pëlqimi mjedisor me kusht që të kthehet vendi në gjendjen e mëparshme. Po ashtu sa i përket eksploatimit të zhavorrit nëpër lumenj, kjo paraqet degradim të lumenjve dhe ne kemi pasur një inpsektim me policinë dhe komisionin për miniera dhe minerale dhe kemi këshilluar operatorët që të operojnë në fundjava dhe të mos degradojnë ambientin”, shtoi Matoshi.

Gjithashtu anëtari Salih Salihu (PSD), tha se Ministria e Ambientit nuk ka pasur përmirësim në çështjet që kanë të bëjnë me ambientin dhe degradimin e natyrës.

“A duhet të paguhet kjo ministri për mbrojtje të ambientit ndërsa gjithandej po e shohim një shkatërrim të tij. Sa gjoba i keni shqiptuar gjatë vitit 2018 për operatorët që e shfrytëzojnë zhavorrin nëpër kodra dhe hapësira të ndryshme dhe që shkatërrojnë ambientin, a jeni duke e parë ju si ministri kontributin e juaj në mbrojtje të ambientit

Ministri i Ambientit tha se proceset nuk fillojnë në këtë ministri dhe si rrjedhojë kjo ministri nuk mund t’i ndalë ato aktivitete të operimit.

“Ne marrim përgjegjësi për shkatërrim të ambientit por ne nuk mundemi mi ndalë proceset sepse nuk fillojnë te ne, ato fillojnë nëpër komuna, në komunitet përmes dëgjimeve publike dhe te ne vijnë vetëm me kërku leje e pëlqime mjedisore, në ministri të mjedisit vijnë më ankesa banorët pikërisht nga zonat ku janë mbajtur dëgjimet publike, është e padrejtë me kërku një përgjegjësi te ne për shkak se aktivitetet nuk fillojnë te ne, nga 112 gurore sa kanë pëlqime mjedisore, 25 prej tyre janë nëpër gjykata”, deklaroi ai.