Peci: Ministria e Bujqësisë, njëra prej ministrive me gjendjen më të rëndë në qeveri

Ministri i Bujqësisë Faton Peci gjatë raportimit në Komisionin për Bujqësi, ka thënë se gjendja në ministrinë të cilën ai e udhëheqë, është shumë e keqe.

“Mendoj që Ministria e Bujqësisë është në gjendje shumë të rëndë, për një mori faktorësh, përveç mungesës së politikave të qarta, përveç mungesës së avancimit të legjislacionit, niveli i borxheve dhe keqpërdorimeve, bindja ime personale është që kjo ndoshta është njëra prej ministrive me gjendjen më të keqe në nivel të gjithë qeverisë”, tha ai.

Peci foli edhe për kompensimet e dëmeve për bujqit, duke theksuar se për këtë janë ndarë 1.3 milionë euro.

“Një çështje me të cilën jemi ballafaquar janë edhe borxhet për pjesën e dëmeve në bujqësi që janë shkaktuar. Janë 1.3 milionë që do t’u ndahen fermerëve për dëmet në bujqësi dhe vlera e kompensimit për dallim prej herëve tjera nga 20 për qind do të jetë në 30 për qind”, tha Peci.

Deputeti Bekim Haxhiu nga Partia Demokratike e Kosovës i tha ministrit Peci se në raportimin e tij pati më shumë ankesa por pati edhe mungesë të informacioneve për punët që janë bërë nga ai.

“Pati shumë ankesa por punë diçka nuk dëgjova që keni bërë, për me i mbështet bujqit dhe zhvillimin e bujqësisë. Thatë që gjatë procesit të rivlerësimit të disa lëndëve keni gjetur se gjysmë milioni euro kanë qenë të keqmenaxhuara, sa prej tyre keni bërë kallëzime penale”, pyeti Haxhiu.

“Tupani rreh për ata që kanë veshë”, i kundërpërgjigjet ministri Peci, deputetit Haxhiu.