Shpend Ahmeti nuk merr pjesë në debatin për ndërtimet në Liqenin e Badovcit

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, nuk është treguar i gatshëm që të marrë pjesë në një debat televiziv për të diskutuar për projektin për ndërtimin e një lagjeje në Liqenin e Badovcit.

Kështu është bërë e ditur nga Grupi për Mbrojtjen e Liqenit të Badovcit, i cili e kishte organizuar një debat të tillë.

Në këtë debat ishte i ftuar edhe ministri i Mjedisit, Fatmir Matoshi, i cili fillimisht e ka konfirmuar pjesëmarrjen, por me kushtëzimin që të jetë prezent edhe Shpend Ahmeti.

Debati që ka qenë i planifikuar të mbahet më 23 janar, në mungesë të konfirmimit nga ana e Ahmetit, është shtyrë për më vonë.

KALLXO.com ka dërguar pyetje në kabinetin e kryetarit Shpend Ahmeti nëse do të marrë pjesë në debatin e nesërm por deri në publikimin e këtij lajmi nuk ka marrë përgjigje.

Ky është njoftimi i plotë i Grupit për Mbrojtjen e Liqenit të Badovcit.

Të nderuar qytetarë,

Duke parë qëndrimet e kundërta në mes të Komunës dhe Ministrisë, kemi ftuar Ministrin e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor Z. Fatmir Matoshi dhe Kryetarin e Komunës së Prishtinës Z. Shpend Ahmeti, në një debat televiziv të organizuar nga Grupi për Mbrojtjen e Liqenit të Badovcit, që para qytetarëve të qartësojmë planet për ndërtime në brigjet e liqenit të Badovcit.

Debati ishte planifikuar të mbahet më 23 janar 2020.

Ministri Z.Matoshi e ka konfirmuar pjesëmarrjen, por në mungesë të konfirmimit nga Kryetari Z.Ahmeti dhe kushtëzimit të Ministrit Z.Matoshi që Kryetari i Komunes Z.Ahmeti te jetë prezent, debati shtyhet për më vonë.

Duke parë shqetësimin e qytetarëve që institucionet të jenë transparente me qytetarin, ne Grupi për Mbrojtjen e Liqenit të Badovcit do ta dërgojme edhe njëhere ftesën për debat, në javën e parë të shkurtit, sepse është obligim ligjor i të gjitha institucioneve të Kosovës të debatojnë me qytetarët e interesuar për vendimet qe i marrin. Mosgatishmëria për debat nga Komuna tregon që ata i frikësohen argumenteve që ne po i paraqesim për mos ndërtimin e villave pranë liqenit.

E falënderojmë Ministrin Z.Matoshi për gatishmëri që të merr pjesë në debat, ndonëse me kushtëzim, dhe njëkohësisht kërkojmë nga ai që të jetë po aq i gatshëm të anulojë menjëherë vendimin e Ministrisë si dhe të nisë procedurën për plotësim-ndryshimin e udhëzimit administrativ për zonat e mbrojtura ujore ku në mënyrë eksplicite do të ndalohen ndërtimet edhe në zonat e dyta të mbrojtura ujore.

 

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Europian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Europian.