Ministri Fatmir Matoshi - Foto: KALLXO.com

Fatmir Matoshi: AKR mbështet opsionin e formimit të qeverisë së re

Anëtari i Aleancës Kosova e Re, Fatmir Matoshi në takimin me presidentin Hashim Thaçi ka thënë që kjo parti e përkrah idenë e formimit të një qeverie, pa shkuarje në zgjedhje.

“AKR i vlerëson si legjitime të dy opsionet, edhe shkuarjen në zgjedhje por edhe përpjekjen për qeveri të re, por për shkak të kushteve dhe rrethanave, AKR mbështet opsionin për një përpjekje politike të një qeverie te re nga përbërje aktuale e Kuvendit të Kosovës me mandat të plotë”, ka thënë ai.

Presidenti i vendit, është duke mbajtur takim konsultativ, deri më tani përveç Lëvizjes Vetëvendosje të gjitha partitë janë deklaruar kundër zgjedhjeve të reja, e pro formimit të një qeverie të re.

Qeveria Kurti është rrëzuar më 25 mars pas një mocioni të mosbesimit të iniciuar  nga partneri LDK-ja. Shkarkimi i ministrit të Punëve të Brendshme, Agim Veliu si dhe mospajtimet për tarifën janë përmendur si arsye nga LDK-ja për ti dhënë fund koalicionit.